Dallas (Teksas, SHBA), 11 maj 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila gjendet në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka vizituar Gardën Kombëtare në Teksas ku është takuar me ushtarë amerikanë që kanë shërbyer në Kosovë vitin e kaluar, në kohën e sulmeve të grupeve të armatosura serbe në pjesën veriore të vendit.
Në një postim në Facebook, Presidentja Osmani ka treguar se ushtarët amerikanë i kanë thënë se kanë qenë të gatshëm edhe ta jepnin jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës.
“’Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës’, është mesazhi që dëgjuam nga ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, pikërisht në kohën e sulmit të agresionit nga Serbia vitin e kaluar”, ka shkruar ajo.
Presidentja Osmani ka thën se pjesëtarët e Gardës Kombëtare në Teksas i ka takuar “për t’u shprehur falënderime në emër të popullit të Kosovës” për shërbimin për lirinë dhe paqen në Kosovë.
“Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje”, ka theksuar Presidentja e Kosovës.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
“Ne ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Republikën e Kosovës”, është mesazhi që dëgjuam nga ushtarët amerikanë të Gardës Kombëtare të Teksasit, të cilët kanë shërbyer në Kosovë, pikërisht në kohën e sulmit të agresionit nga Serbia vitin e kaluar.
Gra e burra nga ushtria amerikane për 25-vjet shërbyen me devotshmëri për lirinë dhe paqen, e edhe sot vazhdojnë të qëndrojnë bashkë me ne në mbrojtje të shtetit dhe kufijve tanë. Prandaj dje i vizitova për t’ju shprehur falënderime në emër të popullit të Kosovës.
Kosova është e bekuar që e ka këtë mbështetje.
(r.m.)