Osmani: Presim mbështetjen e Gjermanisë për integrim në stukrurat euro-atlantike

Prishtinë, 10 mars 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten në mbrëmje, e ka pritur në takim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Gjatë takimit është diskutuar për ndikimet e agresionit rus në Ukrainë dhe për reagimin e botës demokratike.

Zonja Osmani ka thënë se Republika e Kosovës e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe u është bashkuar vendimeve të BE-së dhe SHBA-ve për vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë.

Ajo ka shprehur shqetësimin për gjendjen humanitare në Ukrainë dhe ka shprehur gatishmërinë për strehimin e refugjatëve ukrainas në Kosovë.

Presidentja Osmani ka folur edhe për ndikimet e agresionit rus ndaj Ukrainës në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka thënë se Kosova dhe rajoni kërcënohen nga aleanca e ngushtë ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Serbisë dhe ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO ka rëndësi kruciale për paqen e sigurinë në Kosovë dhe në mbarë rajonin.

“Aspirata e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s synon parandalimin e përpjekjeve për ta destabilizuar vendin tonë dhe rajonin nga përpjekjet e Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ajo ka kërkuar që Gjermania të mbështesë edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se Kosova është e gatshme të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë.

Në takim ësnhgtë biseduar edhe për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Gjermanisë. Presidentja Osmani ka thënë se Gjermania është partner strategjik i Kosovës dhe e ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.

“Kosova e konsideron Gjermaninë si forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe të rajonit”, katheksuar Presidentja Osmani.

Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendës-kryeministrja, njëherësh ministre e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

(r.m.)