Prishtinë, 30 gusht 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që ndaj Kosovës të mos ushtrohet presion në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të vazhdojë “të fle mbi varrezat masive” të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.
“Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më një proces përmes të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni dhe popullit të Kosovës padrejtësi, ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive, do të vazhdojë të shpërlahet padrejtësisht”, ka thënë Osmani, pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, më 30 gusht.
Ajo ka thënë se Serbia vazhdon ta përsërisë krimet e saj në Kosovë, duke fshehur vendndodhjet e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Më 2 maj nënshkruan Deklaratën për të Pagjeturit, si pjesë e një dialogu të nivelit të lartë politik, përmes të cilës palët u zotuan të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si ‘konfidenciale’.
Presidentja Osmani tha se Serbia nuk po e zbaton deklaratën për të Pagjeturit, të nëshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuarr nga BE-ja.
“…për fat të keq, shpesh herë gjinden arsyetime se kinse duhen edhe dokumente të tjera përcjellëse, ndonëse nenet e asaj deklarate janë shumë të qarta. Ato tregojnë se çfarë duhet të bëjë Serbia – duhet t’i hapë të gjitha arkivat”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të shtojnë presionin ndaj Serbisë, e cila është përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve të Kosovës.
Kurti ka kërkuar që përgjegjësit politikë, ushtarakë e policorë për këto krime të nxirren para drejtësisë dhe të dënohen.
Në Deklaratën për të Pagjeturit, të nënshkruar nga Kurti dhe Vuçiqi, dy palët zotohen të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet që i posedojnë, përfshirë edhe ato që janë të shënuara si “konfidenciale”.
30 gushti është Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjes me Forcë.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 npersona, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000, prej të cilëve 1.600 nuk janë gjetur ende.
Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë janë gjetur në varrezat masive në Serbi. Ka informacione se në Serbi gjendet edhe disa varreza të tjera në të cilat janë groposur shqiptarët e vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe janë bartur në Serbi për të fshehur gjurmët e krimeve monstruoze të formacioneve ushtarake e policore dhe formacioneve paramilitare.
(r.m.)