Osmani pret diplomatë amerikanë në rajon: Kosova është partnere e palëkundur e SHBA-së

Prishtinë, 15 nëntor 2022 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim pune ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe përfaqësues të misioneve të Shteteve të Bashkuara në vendet e rajonit.

Zyra e Presidentes njofton se në fokus të takimit ishte partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara, forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ekonomik e në fushën e energjetikës, si edhe zhvillimet e fundit në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.

“Në lidhje me zhvillimet e fundit, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet tona mbeten plotësisht të angazhuara për të kontribuar në mënyrë aktive për paqe dhe siguri të qëndrueshme në vend dhe rajon, në bashkëpunim dhe koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar”, thuhet në njoftim

Presidentja Osmani ka nënvizuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj partneritetit të palëkundur me Shtetet e Bashkuara, aleaten kryesore të Kosovës dhe popullit të saj.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e sigurisë.

Në takim është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

(r.m.)