Pragë,7 tetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në takim me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë i është kërkuar të intensifikohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Kjo është një prej temave që ne e diskutojmë me aleatët tanë, sepse përkrahja e Bashkimit Evropian në këtë proces ka qenë fundamentale, në mënyrë që të kemi sukses përgjatë rrugës sonë. Kërkesë themelore e presidentit Macron dhe e kancelarit Scholz është që ky proces të intensifikohet’, ka thënë ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Presidentja Osmani ka thënë se procesi i dialogut dhe përmbylljes së tij varet nga Serbia, e cila vazhdon të jetë faktor destabilizimi në rajon.
“Ne nuk jemi kundër intensifikimit të dialogut, për shkak se mendojmë se është jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe gjithë rajonit dhe paqes e stabilitetit afatgjatë që dialogu me Serbinë të përmbyllet. Natyrisht, Serbia është e interesuar që ta zvarrisë këtë përgjithmonë dhe të mos ketë zgjidhje afatgjate që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, sepse është shtet që ka qëllim destabilitetin. Ashtu edhe mbijeton, duke destabilizuar të tjerët, që është fat i keq për gjithë rajonin tonë”, është shprehur ajo.
Për këtë arsye, zonja Osmani e vlerëson shumë të rëndësishëm angazhimin e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz.
“Angazhimi tejet i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë i presidentit Macron dhe kancelarit Scholz në nivele të tilla të larta është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv për Republikën e Kosovës. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të angazhohemi me ta jo vetëm në baza mujore, por edhe në baza ditore në qoftë se është nevoja. Kemi shprehur, po ashtu, përkushtimin e plotë që Kosova të vazhdojë qasjen konstruktive dhe të ofrojë përpara zgjidhje që vetëm kontribuojnë për paqe e stabilitet”, ka thënë ajo.
Presidentja e Kosovës është pyetur edhe rreth marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicëserbe në Kosovë. Ajo ka theksuar se ky asociacion në baza etnike dhe nuk mund të ketë fuqi ekzekutive.
“Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë që nuk mund të ketë Asociacion të komunave që krijon një entitet njëetnik, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të ketë Asociacion që krijon një shtresë të re apo të ndërmjetme të qeverisjes ndërmjet komunave dhe nivelit qendror, sepse të gjitha këto do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Prandaj, pakashumë, e ka trasuar rrugën përpara. Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash, që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore”, ka thënë ajo.
“Unë e mbështes çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ. Atë të drejtë e kanë me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili ekziston qysh nga themelimi i Republikës së Kosovës”, është shprehur Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani.
(REL)