Osmani: Qasje e Serbisë ndaj zgjedhjeve në veri – është kundër Marrëveshjes së Brukselit

Prishtinë, 24 prill 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

“Përgëzoj Komisionin Qendror Zgjedhor për përgatitjet e bëra, të cilat mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Falënderoj poashtu të gjitha institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor, i cili ishte shtyrë nga dhjetori 2022 për në prill 2023″, ka thënë ajo sot, gjatë takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës ua mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.

Ajo i ka falënderuar qytetarët që kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, pavarësisht përpjekjeve të strukturave kriminale në veri që të pendojnë këtë proces.

“Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serbë të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar se ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe e cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar.

“Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj në Samitin për Demokraci, të organizuar nën përkujdesin e Presidentit Biden, për të qëndruar krah përkrah me shtetet demokratike për ta luftuar dukurinë në rritje të ndërhyrjes nga jashtë në procese zgjedhore. Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, sepse ajo është akt i ndërhyrjes së paligjshme nda jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare.

Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjikë për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe do t’u qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve, pavarësisht prej përkatësisë së tyre etnike, gjuhësore, fetare e kulturore.

“Institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’u qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, në mënyrë që të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale. Institucionet e Kosovës po ashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjikë për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit”, është shprehur ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se institucionet shtetërore të Kosovës janë të vendosura që, së bashku me qytetarët e këtyre komunave, të punojnë për kushte gjithnjë e më të mira jetese, për më shumë demokraci e mirëqenie në secilën lagje të secilës komunë të vendit.

(r.m.)