Bogota (Kolumbi), 26 nëntor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se strukturat shtetërore të Serbisë e kanë përdorur dhunën seksuale si armë lufte në Kosovë, në vitin 1999.
Në Konferencën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, në Bogota të Kolumbisë, ajo tha se regjimi i Sllobodan Millosheviqit e përdori dhunë seksuale për të thyer shpirtin liridashës të popuollit të Kosovës, por arriti ta bëjë këtë.
“Rgjimi i Millosheviqit i shënjestroi brutalisht gratë, vajzat dhe madje edhe burrat tanë. Kriminelët e luftës nuk ishin të përgatitur të përballeshin me vendosmërinë e palëkundur, shpirtin e pathyeshëm dhe popullin e qëndrueshëm të Kosovës, një popull që nuk do të thyhej kurrë, një popull që do të ngrihej nga hiri i luftës për t’u bërë burim fuqizimi, solidariteti dhe mbështetjeje jo për njëri-tjetrin brenda vendit tonë, por edhe për të tjerët në nevojë kudo në botë”, u shpreh ajo.
Presidentja e Kosovës tha se dhuna seksuale është ndër krimet më të tmerrshme të luftës.
“Është thënë shumë here se dhuna seksuale gjatë konflikteve janë nga krimet më të tmerrshme që ka njohur njerëzimi. Ajo shkon përtej dëmtimit fizik. Ajo shkatërron jo vetëm individë, por familje, komunitete dhe shoqëri të tëra. Është një armë lufte që është projektuar qëllimisht për të shkaktuar dëme midis brezave”, theksoi ajo.
Presidentja Osmani foli për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë. Ajo tha se ato tani gëzojnë mbështetje institucionale dhe theksoi se lufta për të drejtat e të mbijetuarve duhet të jetë në qendër të shoqërisë.
“Për një kohë të gjatë, edhe të mbijetuarit jetuan në heshtje në shtëpitë e tyre, të rënduar nga stigma dhe të anashkaluar nga sistemi që duhet t’i mbronte ata. Por, heshtja nuk mund të japë drejtësi. Pikërisht atëherë e kuptuam se lufta për të drejtat e të mbijetuarve duhet të jetë në qendër të shërimit tonë kolektiv”, tha ajo.
“Unë me të vërtetë besoj se njohja e kësaj historie të dhimbshme është hapi i parë drejt shërimit dhe parandalimit”, theksoi ndër të tjera Presidentja Osmani.
(r.m.)