Prishtinë, 17 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të premten në takim të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku është diskutuar për procesin e dialogut.
Zyra e Presidentit të Kosovës bën të ditur se zonja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për vazhdimin e dialogut me Serbisë, por ka theksuar edhe një herë se dialogu duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve, pa prekur rendin kushtetues dhe integriteti territoritorial i Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani ka thënë se Serbia vazhdon përpjekjet për destabilizimin e Kosovës, përmes ndërhyrjes në çështjet e brendshme, siç ka bërë kohët e fundit edhe në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Ajo ka theksuar se ndërhyrjet e Serbisë në çështjet e brendshme të vendeve fqinje përbëjnë rrezik për stabilitetin e rajonit dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të reagojë ndaj sjelljes së tillë të Serbisë dhe të parandalojë veprimet e tilla të rrezikshme.
Sipas njoftimit, z.Lajçak ka thënë se askush nuk do të kërkojë që Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj të brendshëm.
(r.m.)