Nga KOHA
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se Rusia nuk ka asnjë të drejtë të përdorë rastin e Kosovës si argument për të justifikuar aneksimin e territoreve në Ukrainë.
Zyrtarët rusë shpesh e kanë marrë Kosovën si shembull për të justifikuar territoret e ankesuara në Ukrainë, duke nisur nga Krimea në vitin 2014.
Në një intervistë për influencerin australian Mario Nawfalin, Osmani ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka qenë rezultat i së drejtës së popullit për vetëvendosje dhe si rrjedhojë e një regjimi shtypës dhe kriminal të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi, ndërsa situata në Ukrainë, sipas saj, është një agresion i pastër ushtarak nga ana e Rusisë.
“E vetmja ngjashmëri mes rasteve është se krimet që kreu Millosheviqi ndaj nesh janë të njëjta me ato që po kryen Putini ndaj njerëzve të pafajshëm gjatë pushtimit të Ukrainës. Po, janë të njëjtë – Putini dhe Millosheviqi – por nuk ka asnjë ngjashmëri mes Kosovës dhe territoreve të aneksuara nga Rusia”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës kanë pasur të drejtën legjitime për të vendosur për fatin e tyre, ndërsa banorët e rajoneve si Donbasi janë bërë pjesë e një procesi të dhunshëm e të manipuluar nga Rusia.
“Rusia nuk ka asnjë justifikim që të flasë për ndonjë precedent që kinse ka krijuar Kosova. Situata është krejtësisht ndryshe”, u shpreh ajo.
Në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve ndërkombëtare, presidentja u shpreh se zhvillimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Rusisë do të varet nga ecuria e paqes në Ukrainë. Ajo shtoi se tashmë po shihen disa shenja pozitive në këtë drejtim, por theksoi se nuk e ka menduar kurrë mundësinë që Rusia të bëhej pjesë e NATO-s.
Osmani: Projektet e USAID-it nuk shtynin agjenda të rrezikshme në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se projektet e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), kanë ndikuar në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, por ka shtuar se nëpërmjet këtij programi nuk janë shtyrë agjenda të rrezikshme në Kosovë.
Ajo ka deklaruar se projektet e USAID-it ishte në Kosovë për fuqizim ekonomik, mbështetje të sistemit të drejtësisë dhe mbështetje të popullit kosovar.
“I kuptoj kritikat, në rastin e Kosovës, nuk kemi pasur projekte të tilla, që do të kishin për qëllim përhapjen e agjendave të rrezikshme në Kosovë. Shumë nga vendimet që janë marrë nga presidenti Trump i mbështesim plotësisht”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja Osmani ka shtuar se e kupton faktin që qeveria amerikane i mbylli disa projekte, pasi sipas saj, në vende të tjera kishte dyshime se shtyheshin agjenda të tjera.
Sipas Osmanit, nëpërmjet USAID-it kanë përfituar qytetarët e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se “shumë prej projekteve mbështetnin një mjedis ekonomik që do t’i mbronte bizneset, në përputhje me standardet e SHBA-së”.
“Ishte përfitim i ndërsjellë, perspektivë e ekonomisë dhe bashkëpunimit…si dhe mbrojtje e interesave të sigurisë kombëtar të SHBA-së. Ne kemi shumë prezencë të Shteteve të Bashkuara këtu (në Kosovë) dhe shpresojmë të kemi më shumë biznese amerikane. Është e rëndësishme që Kosova të jetë një vend i sigurt, por që edhe lulëzon ekonomikisht”, u shpreh ajo.
Osmani ka shtuar se e kupton shqetësimin e presidentit Donald Trump që të ruajë paranë dhe sigurinë e amerikanëve.
Osmani: Qasja e Trumpit nganjëherë po del më e suksesshme
Tek ka komentuar qasjen që presidenti amerikan, Donald Trump, ka pasur në raport me partnerët evropianë dhe kritikat ndaj tyre, presidentja Osmani ka thënë se SHBA-ja për shkak të kontributit historik për lirinë e Evropës, ka të drejtë që të flasë për çështjet që beson se prekin vlerat në të cilat ajo beson.
“Prandaj unë nuk mendoj se si fjalimi i zëvendëspresidentit JD Vance apo deklaratat nga presidenti Trump janë duke rrezikuar në ndonjë mënyrë Evropën. Madje e kundërta. Është thirrje zgjimi për Evropën që të nisë të punojë më shumë në kapacitete e mbrojtjes dhe në këtë mënyrë të mbrojë interesin e vet. Nuk mendoj se në afatgjatë, raportet mes Evropës dhe SHBA-së janë në rrezik. Thjesht presidenti Trumpi ka mënyrë më të ndryshme të kryerjes së punëve. Qasje tjetër në zgjidhjen e problemeve. Dhe nganjëherë kjo po del të jetë më e suksesshme sesa ajo që kemi parë në të kaluarën”, ka thënë ajo.
Osmani ka shprehur bindjen se Trumpi do ta vazhdojë përksuthimin për NATO-n.
“Raportet transatlantike janë të rëndësishme për të gjithë ne, por të dyja palët duhet të kontribuojnë në të”, ka thënë tutje Osmani.
Në këtë rast ajo ka përmendur shtetet mosnjohëse të Kosovës në Evropë. Sipas saj, mosndjekja e politikës së jashtme të SHBA-së për ta njohur Kosovën kërcënon paqen në rajon.
Ajo ka thënë se Kosova jeton në paqe për shkak të lidershipit amerikan.