Prishtinë, 6 qershor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Escobar e Lajçak arritën në Kosovë me tri kërkesa të qarta të SHBA-së, BE-së dhe stukturave euro-atlantike: të ndërmerren hapa për uljen e tensioneve në veri, të krijohen kushte për zgjedhje të reja në katër komunat veriore dhe të nisë zbatimi i marrëveshjes bazë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
Sipas njoftimit të kabinetit të saj, Presidentja Osmani ka shprehur qëndrime të njëjta me Kryeministrin Albin Kurti lidhur me këto kërkesa.
Ajo ka thënë se ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
“Presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, ciitohet ajo.
Lidhur kërkesën për zgjedhje të reja në katër komunat veriore, Presidentja Osmani ka thënë se ato mund të organizohen në përputhje me kornizën kushtetuese e ligjore dhe ka theksuar se zgjedhjet e reja kanë kuptim vetëm nëse sigurohet pjesëmarrje e qytetarëve që jetojnë në këto komuna.
Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që autoritetet e Kosovës të punojnë së bashku me partnerët ndërkombëtarë për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës dhe për mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Ajo ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të aleancës së Kosovës me SHBA-të dhe BE-në “për përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euro-atlantike dhe për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
Të hënën në mbrëmje, emisarët e SHBA-së dhe BE-së u takuan me kryeministrin Kurti, kurse të martën në mëngjes u takuan edhe me liderët e opozitës parlamentare në Kosovë.
Escobar e Lajçak do të udhëtojnë sot nga Prishtina për në Beograd, ku do të takohen me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata pritet të përcjellin kërkesat për uljen nivelit t gatishmërisë së ushtrisëdhe tërheqjes së saj nga zona pranë kufirit me Kosovën, të ndikojnë te serbët e Kosovës që të heqin dorë nga aktet e dhunshme dhe të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të Kosovës.
SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëëuar të dy palët se do të përballen me pasoja, në qoftë se nuk i dëgjojnë kërkesat e tyre.
(r. m.)