Osmani: Serbia dhe Rusia po tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por tërë rajonin

Londër, 18 korrik 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti akuzat se Serbia dhe Rusia po vazhdojnë të tentojnë të destabilizojnë Kosovën, por edhe rajonin.

“Shteti ynë nuk ka lejuar asnjëherë influencë ruse apo të forcave të tjera malinje, ndërsa shteti ynë fqinj, Serbia, përdoret si satelit i Rusisë”, tha ajo në një video të postuar në Facebook, pas punimeve të Samitit të katërt të Bashkësisë Politike Evropiane që u mbajt në Pallatin Blenheim, në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ata [Serbia dhe Rusia] do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm shtetin tonë, por edhe gjithë rajonin dhe, nëpërmjet kësaj, gjithë kontinentin evropian”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani tha se gjatë Samitit në Mbretërinë e Bashkuar u takua me liderë të shumtë evropianë, përfshirë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilët ka diskutuar për integrimin euroatlantik të Kosovës, për hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe si të luftohet ndikimi rus.

Osmani e cilësoi Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane si ngjarje të rëndësishme, ndonëse ky nuk është samit formal ku merren vendime.

Bashkësia Politike Evropiane nuk është një organizatë formale, por shërben si forum, ku së paku një herë në vit liderët e vendeve evropiane mblidhen dhe diskutojnë për çështje të interesit të përbashkët.

(r.m.)