Prishtinë, 25 shtator 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo ka thënë se sulmet e strukturave kriminale ndaj institucioneve publike të Kosovës që janë kryer të shtunën në pjesën veriore të Kosovës janë mbështetur nga Serbia.
“Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon”, ka shkruar ajo në Facebook.
Presidentja Osmani i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos e shpërfillë atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, ka shkruar ajo.
Zonja Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të refuzojnë “skenarët ogurzi” të Serbisë, kurse institucioneve të shtetit u ka bërë thirrje t’u ofrojnë qytetarëve siguri nga strukturat kriminale të Serbisë.
“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/403829791101566
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa në Qendrën e Regjistrimit Civil në Zveçan janë hedhur dy bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.
Këto incidente ndodhën në ditën e gjashtë të bllokimit të rrugëve që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në afërsi të pikave kufitare në Bërnjak dhe në Jarinje, në veri të Kosovës. Qytetarët serbë atje po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.
(r.m.)