Prishtinë, 26 shtator 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist në veri të vendit.
Presidenca njoftoi se Presidentja Osmani ka thënë se shteti i Serbisë është përgjegjës për sulmin terrorist në pjesën veriore të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ajo ka thënë se pret që Serbia të sanksionohet për përfshirje të drejtpërdrejtë në këtë sulm.
“Presidentja ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb. Ajo gjithashtu ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në njoftim thuhet se Presidentja Osmani i ka falënderuar aleatët, në radhë të parë SHBA-të, për “bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë së Kosovës në këtë kohë, kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës”.
(r.m.)