Osmani: Serbia po përpiqet të ndryshojë faktet historike

Prishtinë, 11 dhjetor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se mohimi i krimeve të luftës është krim i përsëritur.

Në një reagim ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, se Masakra e Reçakut ishte “gënjeshtër e tmerrshme” dhe vrasja e civilëve shqiptarëishte “falsifikim”, Presidentja Osmani ka thënë se Serbia po përpiqet t’i ndryshojë faktet historike.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vulinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, thuhet në një deklaratë të Presidentes Osmani.

“Përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”, thuhet më  tutje në  deklaratë.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera,  NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, thuhet në deklaratën e Presidentes Osmani.

Deklaratat e Vulinit i kanë dënuar edhe SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Në reagimin e tyre thuhet se mizoritë në Reçak janë të dokumentuara.

Forcat policore e ushtarake serbë në Kosovë, vranë më 15 janar 1999, 45 civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte gra e fëmijë.

(r.m.)