Munih, 20 shkurt 2022 – Në ditën e fundit të Konferencës për Sigurisë në Mynih, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe sfidat e vendeve të rajonit në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike.
Siç njofton Presidenca e Kosovës, Presidentja Osmani ka folur për progresin e Kosovës në fusha të ndryshme, si edhe për sfidat me të cilat përballet shteti ynë në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit në organizatat ndërkombëtare.
Ajo ka theksuar se veprimet destabilizuese të Serbisë dhe përpjekjet e Rusisë për shtrirjen e sa në rajon përbëjnë sfidën më të madhe për Kosovëm dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidentja Osmani ka thënë se Serbia është shtet që nuk bazohet në vlerat evropiane, prandaj duhet të trajtohet si e tillë nga bota demokratike.
Duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, ajo ka theksuar se Kosova ka dëshmuar qëndrim konstruktiv, ndërsa Serbia vazhdon ta pengojë procesin me obstruksione dhe veprime që shkaktrojnë tensione dhe kërcënojnë paqen.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet dhe në dialogun me Serbinë ka dhënë propozime konkrete për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Ajo ka përsëritur se procesi i dialogut duhet të përqendrohet në njohjen reciproke të dy shteteve, si zgjidhje e vetme që siguron paqe dhe stabilitet në rajon.
Në tryezë kanë marrë pjesë edhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ministrat e punëve të jashtme të vendeve të rajonit, ambasadorja i SHBA-ve në NATO, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, dhe përfaqësues të disa shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe organizatave të shoqërisë civile.
(r.m.)