Prishtinë, 12 qershor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, e ka nderuar zonjën Sherfie Luta, gruan që 23 vjet më parë ishte bërë simbol i vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre nga aparati shtetëror i Serbisë.
Presidentja Osmani e ka ftuar zonjën Luta në manifestimin qendror të shënimit të 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës që umbajt në Bllacë, në kufi me Maqedoninë e Veriut.
“Një fotografi e shkrepur nga një fotograf i agjencisë Reuters e bëri atë pjesë të ballinës së revistës Time, në të cilën në mënyrë besnike paraqitej lufta për mbijetesë, e gruas që në kushte lufte ushqente me gji vajzën e saj të ardhur në jetë gjashtë muaj para se të shpërthente lufta e të dëboheshin”, tha ajo.
“Kjo grua është Sherife Luta dhe me fotografinë e saj që ka bërë xhiron në ballinat e mediave botërore që shihet edhe këtu prapa sot, ishte bërë portreti i Kosovës së asaj kohe, por edhe i grave tona stoike, të cilat nuk u dorëzuan në luftë, siç nuk dorëzohen as sot në paqe” shtoi Presidentja Osmani, në shënimin e 23 vjetorit të çlirimit.
Ndërkaq, në një postim në Facebook, ajo e ka cilësuar zonjën Luta “personifikim i qëndresës së popullit dhe kujtesë e eksodit të dhunshëm të shkaktuar nga regjimi gjenocidal serb më 1999”.
“23 vjet më parë, Sherife Luta u bë personifikim i vuajtjeve të refugjatëve kosovarë. 23 vjet pas, sot ajo ishte e ftuara ime kryesore në manifestimin për ditën e çlirimit. Sherifja është personifikim i qëndresës së popullit dhe kujtesë e eksodit të dhunshëm të shkaktuar nga regjimi gjenocidal serb më 1999. Ajo është një nga gratë tona stoike, të cilat nuk u dorëzuan në luftë, siç nuk dorëzohen as sot në paqe”, ka shkruar ajo.
23 years ago, Sherife Luta became the global image of the suffering of Kosovar refugees.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) June 12, 2022
Today, she serves as the image of the resistance of our people in the face of violence, war and terror caused by Milosevic’s genocidal regime in 1999. pic.twitter.com/UHvMs5VBkL
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në manifestimin qendror të shënimit të 23 vjetorit të çlirimit të Kosovës, shprehu kënaqësinë që pati rastin të takohet me zonjën Sheride Luta.
Në një postim në Twitter, ambasadori Hovenier ka shkruar se zonja luta ishte bërë “fytyra e luftës brutale” në Kosovë.
“Pata kënaqësinë të takoja Sherife Lutën dhe familjen e saj në festën e Ditës së Paqes sot më herët. 23 vjet më parë, Sherifja u bë fytyra e luftës brutale pasi ajo dhe fëmija i saj u dëbuan nga Kosova. Sot ata janë të sigurt dhe të shëndetshëm. Sherifja është në të djathtën time, me kostum jeshil”, ka shkruar Hovenier.
It was a pleasure to meet Sherife Luta and her family at the Peace Day celebration earlier today. 23 years ago, Sherife became the face of a brutal war as she and her child fled Kosovo. Today, they are safe and healthy. Sherife is on my right in the green suit. @TIME pic.twitter.com/K7bvdSiwdX
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) June 12, 2022
Fotografia e zonjës Luta, me foshnjën e saj Besianën në gji, e cila gjendej në kolonën e shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre ishte publikuar në botimin special të gazetës “Time” dhe në shumë gazeta e revista të huaja.
Kjo foto, e realizuar nga fotografi i agjencisë Reuters, Damir Shagol, është përdorur në shumë ngjarje, manifestime e fushata sensibilizuese për problematiken e refugjatëve jo vetëm në Kosovë.
Kjo foto zë vend qendror në Memorialin e Bllacës, i cili është ngritur në shenjë të kujtesës së eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës.
(r.m.)