Bërdo, 12 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur kënaqësinë e që në samitin e Procesit Bërdo-Brini që u mbajt të hënën, në Bërdo të Sllovenisë, u miratua kërkesa për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ajo ka shfaqur shpresën se muajin e ardhshëm do të ketë një vendimarrje për liberalizimin.
“Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentumi më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra, ky është momentum i shkëlqyeshëm dhe e kemi mbështetjen e nikoqirit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj, në samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, ka thënë ajo,pas përfundimit të samitit.
Ajo ka theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën është çështje që lidhet edhe me kredibilitetin e BE-së.
Presidentja e Kosovës kafolur edhe për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo ka shfaqur shpresën se aplikimi do të pranohet nga tëgjitha vendet e BE-së.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është vend që përputhet plotësisht me aspiratat e Bashkimit Evropian.
“Ne e kemi zgjedhur rrugën e integrimeve euro-atlantike me vullnet të plotë”, është shprehur ajo.
Presidentja Osmani ka kërkuar një prani më të madhe të Bashkimit Evropian në Ballkan.
“Sa më e madhe që është prezenca e BE-së në Ballkan, aq më shumë paqe e siguri do të ketë në këtë rajon dhe në BE”, ka thënë ajo pas.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, në cilësinë e organizatorit të samitit të Procesit Bërdo – Brioni, publikoi konluzionet e samitit, ku i bëhet thirrje Bashkimit Evropian edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Pas samitit, në një postim në Twitter, Pahor i ka bërë publike 6 konkluzionet me të cilat kanë rënë dakord të gjithë pjesëmarrësit.
“1. Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtën e paqes dhe stabilitetin në rajon, zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë;
- Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim;
- Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinë deri në fund të vitit 2022;
- Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022;
- I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike;
- Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe çështjet e hapura në rajon.”, ka shkruar Pahor në Twitter.
(r.m.)