Prishtinë, 7 qershor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u është përgjigjur shqetësimeve të shteteve të QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) lidhur me shpronësimet në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Presidentja Osmani ka thënë se këto shpronësime bëhen në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe standardet e Gjykatës Evropiane dhe ka theksuar se ajo e përkrah çdo veprim që është në interes të sigurisë nacionale dhe të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësie etnike, gjuhësore, fetare e kulturore.
“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të analizohet vetëm në kontekst të përputhshmërisë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çështja e shpronësimeve ka rregulla të caktuara dhe këto rregulla jo vetëm që përcaktohen me ligjet tona por edhe me standardet evropiane të bazuara në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përderisa respektohen këto standarde dhe pesë hapat janë aplikuar në në vendimet e Gjykatës Evropiane dhe përderisa janë zbatuar ligji ynë dhe dispozitat tona kushtetuese shpronesimet bëhen pa asnjë tendencë dhe pa diskriminim të askujt”, ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë dhënë “shpjegimin e duhur” lidhur me procedurën e shpronësimeve në pjesën veriore të Kosovës.
Një ditë më parë edhe Qeveria e Kosovës e ka cilësuar të pabazë shqetësimin e vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së lidhur me këto shpronësime. Ajo ka bërë të ditur se në tokat e shpronësuara do të ndërtohen stacione të policisë, me qëllim të forcimit të kapaciteteve të sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.
Autoritetet në Serbi dhe Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, kanë reaguar ashpër kundër vendimit të qeverisë për shpronësime në katër komunat veriore. Ato e konsiderojnë këtë si një akt që ka qëllim “dëbimin” e serbëve të Kosovës nga pronat e tyre.
Parcelat e shpronësuara gjenden në afërsi të kufrit me Serbinë, me qëllim të forcimit të pranisë së policisë në zonën kufitare me Serbinë, ku zhvillohen aktivitete të ndryshme të kundërligjshme.
(r.m.)