Bërdo (Slloveni),13 shtator 2022 – Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, ka thënë se Evropa nukmund të jetë e plotë pa përfshirjen e gjithë Ballkanit Perëndimor. Ajo ka shtuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është thelbësorpër paqen dhe sigurinë në gjithë kontinentin.
“E kam thënë shumë herë se nuk mund të ketë Evropë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqe pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Kjo nuk është më çështje e përmbushjes së disa kritereve teknike; kjo është çështje me rëndësi thelbësore në aspektin gjeopolitik dhe atë të sigurisë”, ka thënë Presidentja Osmani në samitin e liderëve të rajonit në kuadrin e Procesit Bërdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.
Osmani u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të forcojnë aleancat në mbrojtje të lirisë e të demokracisë dhe të vlerave evropiane në gjithë kontinentin.
“Ajo që po ndodh në Ukrainë është një tregues i qartë se liria dhe demokracia nuk mund të merren kurrë si të mirëqena. Si rezultat, kjo na tregon rëndësinë e aleancave të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta dhe urgjencën e fuqizimit dhe forcimit të mëtejshëm të tyre”, është shprehur ajo.
Presidentja e Kosovës u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të miratojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës,duke shfaqur shpresën se kjo do të ndodhë gjatë presidencës çeke të BE-së, deri në fund të këtij viti.
“Jemi në vitin 2022 dhe tashmë janë bërë 4 vite prej se Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Megjithatë, qytetarëve të Republikës së Kosovës ende iu mohohet e drejta për të udhëtuar lirshëm brenda BE-së. Siç mund ta imagjinoni, kjo kufizon mundësitë dhe potencialin e tyre. Por, më së shumti kjo prek ndjenjën e lirisë, si themel mbi të cilin qëndron BE-ja. Shpresojmë që kësaj padrejtësie dhe diskriminimi t’i jepet fund së shpejti. Kur them së shpejti, nënkuptoj këtë vit, gjatë Presidencës Çeke të BE-së”, ka thënë ajo.
Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani:
Të nderuar Presidentë,
Të nderuar nikoqirë,
Dua t’ju falënderoj që na mirëpritët përsëri në Bërdo Pri Kranj-un e bukur. Përderisa Procesi i Bërdo-Briones shënon përvjetorin e tij të 11-të, do të doja të falënderoja Presidentin Pahor dhe Presidentin Millanoviq për lidershipin e tyre dhe vizionin për ta afruar rajonin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Besoj se të gjithë ju pajtoheni me faktin se Presidenti Pahor, në veçanti, ka luajtur rol thelbësor në këtë nismë dhe po lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme si një promovues i bashkëpunimit rajonal dhe i së ardhmes euro-atlantike të rajonit tonë.
Në zanafillë të kësaj nisme qëndron aspirata për rritjen e besimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe kontributi drejt zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot, një dekadë më vonë, kjo nismë mbetet po aq e rëndësishme sa edhe në zanafillë të saj.
Për Kosovën, e ardhmja si anëtare e Bashkimit Evropian është një e ardhme nga e cila nuk do të heqim dorë kurrë. Edhe pse rajoni ynë mund të jetë afruar më shumë me BE-në dhe ne e mirëpresim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne besojmë fuqimisht se BE-ja duhet të përshpejtojë hapin.
Duhet të jetë e qartë për të gjithë ne se vetëm një e ardhme evropiane për vendet të cilat aspirojnë dhe i bashkërendojnë politikat me Bashkimin Evropian, për vendet të cilat janë promovuese dhe besojnë në vlerat e Bashkimit Evropian, është e ardhmja që e mundëson paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon dhe në Evropë. E kam thënë shumë herë se nuk mund të ketë Evropë të tërë, të lirë, të bashkuar dhe në paqe pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Kjo nuk është më çështje e përmbushjes së disa kritereve teknike; kjo është çështje me rëndësi thelbësore në aspektin gjeopolitik dhe atë të sigurisë.
Sa herë që flasim ose mendojmë për Bashkimin Evropian, mendojmë për vlerat që ai përfaqëson dhe mbi të cilat është ndërtuar. Në themel të tyre qëndron respekti për të drejtat dhe liritë e njeriut. Sot ato të drejta dhe liri vazhdojnë t’i mohohen popullit tim.
Jemi në vitin 2022 dhe tashmë janë bërë 4 vite prej se Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Megjithatë, qytetarëve të Republikës së Kosovës ende iu mohohet e drejta për të udhëtuar lirshëm brenda BE-së. Siç mund ta imagjinoni, kjo kufizon mundësitë dhe potencialin e tyre. Por, më së shumti kjo prek ndjenjën e lirisë, si themel mbi të cilin qëndron BE-ja. Shpresojmë që kësaj padrejtësie dhe diskriminimi t’i jepet fund së shpejti. Kur them: së shpejti, nënkuptoj këtë vit, gjatë Presidencës Çeke të BE-së. Ne besojmë fuqimisht në atë se çfarë përfaqëson BE-ja si projekt i integrimit politik. Prandaj, ne shpresojmë që BE-ja do të mbrojë atë që është e drejtë dhe do të mbajë premtimin e saj pasi besueshmëria e saj është në rrezik.
Të nderuar kolegë,
Pak më shumë se një vit më parë ne u takuam në të njëjtin vend në rrethana sfiduese si rezultat i COVID-19. Këtë vit, ndërsa shpresojmë që COVID-19 të kthehet në histori të së kaluarës, kontinenti ynë po përballet me një nga tragjeditë më të mëdha të kohëve tona moderne.
Lufta e paligjshme dhe e paprovokuar e Rusisë ndaj Ukrainës po merr një numër të madh të jetëve. Ndërsa kemi thënë shumë herë ‘kurrë më’, historia po përsëritet sërish në tokën evropiane. Ajo që po ndodh në Ukrainë është një tregues i qartë se liria dhe demokracia nuk mund të merren kurrë si të mirëqena. Si rezultat, kjo na tregon rëndësinë e aleancave të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta dhe urgjencën e fuqizimit dhe forcimit të mëtejshëm të tyre.
Nuk është koha për hezitime apo hamendësime. Kjo luftë shënon sprovën e kohës sonë. Nuk mund të pretendosh të jesh mik i Evropës dhe mik i Rusisë në të njëjtën kohë. Nuk mund të jesh mohues i gjenocidit dhe njëkohësisht të pretendosh të promovosh frymën dhe veprimet e solidaritetit dhe ndjeshmërisë. Nuk mund të shtrëngosh duart me viktimën dhe agresorin në të njëjtën kohë. Sot ose zgjedhim të qëndrojmë në anën e duhur të historisë ose jo, dhe nuk ka një mes të pranueshëm.
Përballë agresionit dhe apetiteve hegjemoniste të Rusisë, ne nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojmë pasiv apo të heshtur. Nuk mund të gjeja fjalë më të duhura se sa fjalët e Presidentit Klinton në vitin 1999 kur foli mbi atë që po ndodhte në rajonin tonë. Ai tha: “Të hezitosh në momente kur ballafaqohesh me një agresor është e barabartë me aktin e të lejuarit për të vrarë”.
Prandaj, Republika e Kosovës i ka bashkërenduar menjëherë sanksionet kundër Rusisë me ato të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Ne i dimë shumë mirë vuajtjet e jashtëzakonshme që sjellin luftërat; prandaj ne zgjedhim të promovojmë dhe mbrojmë lirinë. Ne e dimë shumë mirë ndjenjën e të qenit viktimë e agresionit dhe gjenocidit; prandaj ne zgjedhim të promovojmë dhe mbrojmë paqen. Ne e dimë mirë ndjenjën e padrejtësisë, diskriminimit dhe shtypjes; prandaj ne zgjedhim demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ndryshimet në arkitekturën e sigurisë në kontinentin tonë kërkojnë veprime të guximshme, të mençura dhe në kohë. Aleanca euroatlantike ka shërbyer si një garantues dhe rojtar i paqes dhe stabilitetit në të dy anët e oqeanit dhe në rajonin tonë. NATO do të thotë siguri dhe siguria do të thotë zhvillim dhe prosperitet. Sa më shumë që është zgjeruar prania e NATO-s në rajonin tonë, aq më të fortë e më e qëndrueshme është bërë shtresa e sigurisë dhe aq më i madh ishte kontributi për paqen dhe stabilitetin.
Të nderuar Presidentë,
Lufta ilegale e Rusisë në Ukrainë po ndikon edhe në sigurinë tonë të energjisë dhe ushqimit. Sot, ne përballemi me perspektivën e një dimri seriozisht sfidues. Ndërsa ditët bëhen më të ftohta dhe dimri po afron, mundësia e sfidave serioze me sistemet tona energjetike po bëhet kërcënim gjithnjë e më i madh. Kriza energjetike evropiane është reale dhe si e tillë duhet të shërbejë si shtysë për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.
E njëjta gjë vlen edhe në rastin e sigurisë ushqimore. Garantimi i furnizimeve dhe sigurimi i rezervave të mjaftueshme ushqimore për muajt e ardhshëm mund të shndërrohet lehtësisht në një nga sfidat më të mëdha globale të shekullit XXI.
Megjithatë, duhet të kujtojmë se krizat evidente me të cilat përballemi sot mund të përkeqësohen më tej nga kriza gjithnjë e më serioze e ndryshimeve klimatike. Në vazhdën e rritjes së numrit të fatkeqësive natyrore në mbarë botën, ne nuk duhet të harrojmë rëndësinë e hartimit dhe ekzekutimit të planeve ambicioze të tranzicionit drejt një rajoni të qëndrueshëm e me emetime të ulëta të karbonit.
Ndërsa bashkëpunimi rajonal është në themelet e procesit të Bërdo – Brione dhe një parim themelor që na udhëheq gjersa lëvizim përpara, ne duhet të mos i harrojmë parimet mbi të cilat ai mund të përparojë. Gjithëpërfshirja, barazia dhe respekti për njëri-tjetrin janë parimet mbi bazën e të cilave bashkëpunimi i mirëfilltë rajonal mund të ketë sukses.
Jam vërtetë krenare që përfaqësoj një vend, i cili bashkëpunimin dhe partneritetet parimore të bazuara në parimin e barabarësisë i sheh si domosdoshmëri, ndërsa integrimin në strukturat euroatlantike e konsideron si fatin e tij të pashmangshëm. Por, më e rëndësishmja është se kjo rrugë nuk është diçka që populli ynë ka zgjedhur t’ia lërë fatit apo rastësisë. Ne e kemi trasuar këtë rrugë për veten tonë. BE-ja dhe NATO-ja do të jenë shtëpia jonë sepse për këtë kemi punuar dhe për këtë kemi sakrifikuar pa masë – dhe kjo është arsyeja pse ne përkasim në familjen euroatlantike.
Deri në fund të këtij viti ne do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe presim me padurim mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Republika e Kosovës mund të jetë shteti më i ri në Evropë, por si popull ne kemi kontribuar gjithnjë në këtë kontinent: nuk po flas vetëm në aspektin gjeografik apo atë të identitetit, por më e rëndësishmja po flas për angazhimin tonë sistematik dhe të vendosur për të promovuar dhe mbrojtur vlerat evropiane.
Të nderuar kolegë,
Sa më shumë BE të ketë në Ballkanin Perëndimor, aq më shumë do të ketë stabilitet, demokraci dhe paqe në vetë Bashkimin Evropian.
Por, të mos harrojmë: Evropa nuk është më e njëjta pas 24 shkurtit 2022. Në vazhdën e luftës aktuale të Rusisë në Ukrainë, askush nuk mund të pretendojë të jetë pro-evropian nëse nuk vepron vërtet si i tillë. Në kohë të vështira si këto, ndoshta edhe më e rëndësishme se sa sfidat me të cilat përballemi është mënyra se si u përgjigjemi atyre.
Procesi i Bërdo – Brione vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në afrimin e rajonit tonë me Bashkimin Evropian. Në emër të popullit të Republikës së Kosovës dua që edhe një herë të shpreh mirënjohjen tonë për nikoqirët dhe për ambicien e përkushtimin e tyre.
Në frymën e avancimit të bashkëpunimit dhe partneritetit të mëtejshëm, do të ishim të nderuar të organizonim takimin e radhës së Liderëve të Procesit të Bërdo – Brione në vendin tonë, në Republikën e Kosovës.
Faleminderit!
(r.m.)