Prishtinë, 7 qershor 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se asaj nuk i është paraqitur formalisht ndonjë ide apo propozim që draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga Bashkimi Evropian, të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venedikut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën në një intervistë për A2CNN se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mund ta dërgojë draftin në Komisionin e Venedikut.
“Nuk e kam parë një ide të tillë të prezantuar formalisht. Kurdo që prezantohet tek Presidenca si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme, e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj”, tha Osmani për media pas një vizite në Drenas.
E pyetur nëse do ta mbështeste një propozim të tillë, Osmani tha se “nëse e vlerësojmë se kjo e ndihmon Kosovën, nuk ka ndonjë arsye pse mos ta përkrahim”.
“Është me rëndësi që çdo propozim dhe çdo ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shtoi ajo.
Draftin e BE-së, Kurti e ka cilësuar “non-paper”.
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ua prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese tha se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
(Radio Evropa e Lirë)