Osmani u takua me të dërguarin special të Presidentit Biden, John Kerry

Doha, 26 mars 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Doha me të dërguarin e posaçëm të Presidenit të Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike, ish-sekretarin e Shtetit, John Kerry.

Në takim ka marrë pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla Schëarz.

“Presidentja dhe z. Kerry diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe përmendi përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas. Presidentja Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Presidentes Osmani.

Zonja Osmani e ka uruar z. Kerry për detyrën e të dërguarit të posaçëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, duke i vlerësuar ndryshimet klimatike si një sfidë globale shumë serioze .

“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike”, citohet Presidentja.

Zonja Osmani e ka falënderuar z. Kerry për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj që të ecë përpara dhe kontributin për ndërtimin e marrëdhënive të veçanta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani është takuar edhe me Kryeministrin e Shtetit të Katarit, Sheikh Khalid bin Khalifa bin Abdulaziz Al Thani. Ajo e ka falënderuar kryeministrin për mbështetjen që ka dhënë Katari për rindërtimin e Kosovës pas luftës dhe për realizimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore,si edhe mbështetjen e Kosovës në forume e nisma të ndryshme ndërkombëtare.

Zonja Osmani e ka theksuar nevojën e mbështetjes së Katarit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për njhohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet që  nuk e kanë bërë ende këtë.

Presidentja e Kosovës ka shprehur interesimin për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Kosovës e Katarit.

Presidentja Osmani është takuar edhe me liderë e përfaqësues të vendeve tjera pjesëmarrëse në Forumin e Dohas.

(r.m.)