Prishtinë, 24 prill 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ua ka uruar Pashkët besimgarëve ortodoksë.
Osmani ka uruar paqe e lumturi në çdo familje, kurse një mesazh të veçantë solidariteti ka përcjellë për ukrainasit që Pashkët e sivjetme po i festojnë në atmosferë të luftës.
“Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve ortodoksë!
Kjo festë është shëmbëllim i solidaritetit, dashurisë dhe shpresës për ditë më të mira, ndaj uroj që në çdo familje të mbretërojë paqja dhe lumturia. Pashkët janë manifestim i forcës sonë të përbashkët, humanizmit e solidaritetit, të cilat ngjallin shpresën për të ardhmen.
Fatkeqësisht, shumë besimtarë e kremtojnë këtë festë në një kohë kur paqja dhe liria në kontinentin tonë kërcënohen nga tirani dhe despotë. Andaj, solidarizohemi me shumë ukrainas që festojnë sot nën atmosferën e luftës”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentes Osmani.
(r.m.)