Osmani udhëtoi për në Kalabri, ku do të nderohet me çmimin “Gjergj Kastrioti”

Prishtinë, 10 prill 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.

Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani do të nderohet në Klabri me çmimin “Gjergj Kastrioti”. Ajo do të ketë takime me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, kryetaren e Provincës së Kozencës dhe kryetarët arbëreshë të komunave të këtij rajoni. Presidentja Osmani do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.

“Në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet në komunën e Frasnitës, Presidentes do t’i ndahet çmimi ‘Gjergj Kastrioti’. Gjatë qëndrimit në Kalabri, presidentja Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit. Presidentja Osmani do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë. Në të gjitha këto takime, presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së presidentes Osmani”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

(r.m.)