Prishtinë, 19 prill 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të javës së ardhshme. Ajo do të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të mikes së madhe të shqiptarëve, ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Zyra e Presidentes së Kosovës ka bërë të ditur se presidentja Osmani është ftuar të marrë pjesë në ceremoni me ftesë së familjes Albright.
“Gjatë qëndrimit në SHBA presidentja Osmani do të ketë edhe disa takime të tjera”, kanë thënë nga Presidenca e Kosovës për Telegrafin.
Mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur më 23 mars në moshën 84-vjeçare.
Ajo vlerësohet për ndikimin e madh për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën për krimet që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.
Madeleine Albright e ka vizituar tri herë Kosovën: më 1999, pak muaj pas përfundimit të luftës, më 2005 dhe më 2019. Gjatë vizitës së saj më 2005, ajo e ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ndërsa më 2019 ka marrë pjesë në zbulimin e bustit të saj në Prishtinë.
(r.m.)