Osmani: Veriu është sfidë, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë

Prishtinë, 15 dhjetor 2022 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se veriu i Kosovës, vazhdon të jetë sfidë për shkak të, siç tha, “pretendimeve territoriale të Serbisë”.

Gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Osmani sërish akuzoi Serbinë se mbështet “grupet kriminale” në veri të Kosovës.

“Veriu i Kosovës vazhdon të jetë sfidë për shkak të pretendimeve territoriale që Serbia ka ndaj Kosovës, e të cilat i shpreh përmes financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale-kriminale. Por, ne jemi të vendosur si asnjëherë më parë që të krijojmë siguri e sundim të ligjit në çdo cep të territorit tonë”, tha Osmani.

Ajo u zotua se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e institucioneve për sundim të ligjit.

“Ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe kërcënimit e frikësimit të qytetarëve”, theksoi Osmani.

Presidentja e Kosovës e cilësoi si “ide hegjemoniste” paralajmërimin e Serbisë se do të kërkojë nga KFOR-i që t’i kthejë trupat serbe në Kosovë.

“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim, me përmasa agresioni, së fundi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj [Aleksandar] Vuçiq, e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999″, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës porositi se procesi i dialogut me Serbinë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që, sipas saj, do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Gjatë fjalimit prej 35 minutash, Osmani po ashtu foli për politikën e jashtme duke thënë se në rrafshin diplomatik, shteti ka qenë aktiv. Ajo tha se në Serbi dhe jashtë saj, ka njerëz që kjo gjë u pengon, duke theksuar se “më në fund Kosova ka politikë të jashtme”.

Osmani tha se në Kosovë më nuk ka “lobim për ndryshim kufijsh” dhe “nuk ka flirtime me Serbinë dhe Rusinë me qëllim të interesave individuale”.

“Nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë Nagrono-Karabak, Abkhazi e Krime. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar një herë e përgjithmonë”, tha Osmani.

Fjalimi vjetor i Osmanit u mbajt në të njëjtën ditë kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kundërshtojnë në mënyrë kategorike dislokimin e trupave serbe në Kosovë.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur që nga 6 dhjetori, pasi në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb, që Kosova thotë se dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të barrikadave, teksa Qeveria e Kosovës ka thënë se po pret që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, t’i largojë barrikadat.

Ndryshe, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, bojkotoi fjalimin e Osmanit, të cilën e akuzoi për përdorim “të gjuhës jounifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse”. Po ashtu, partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mori pjesë në seancën e adresimit të Osmanit.

(REL)