Prishtinë, 29 maj 2023 – Presidenjta e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se tensionet në pjesën veriore të Kosoovës po i shkaktojnë “strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale”, të cilat kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.
Në një postim në Twitter, Presiidentja Osmani e ka akuzuar Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për destabilizimin e veriut të Kosovës.
“Strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët.
Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar presidentja.
Serb illegal structures turned into criminal gangs have attacked Kosovo police, KFOR officers & journalists.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) May 29, 2023
These unacceptable acts of violence should be condemned by all. Those who carry out Vucic's orders to destabilise the north of Kosovo, must face justice.
Të hënën, që nga mëngjesi, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, në Zubin Potok dhe në Leposaviq.
Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë ndaj protestuesve serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit. Gjatë operacionit janë dëgjuar shpërthime e shok-bomba dhe është hedhur gaz lotësjellës. Protestuesit i kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it me gurë, shishe dhe kokteje molotovi.
Një ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në Kosovë do të ndodhë diçka që “nuk e kemi parë më parë”, ndërsa situatën aktuale e vlerësoi si “më të vështirën deri më tani’.
“Kam frikë nga destabiliteti, madje edhe nga konfliktet e mëdha, sepse e di që serbët nuk mund të durojnë më, derisa ky (kryeministri i Kosovës, Albin Kurti) ëndërron të jetë Zelensky (presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky)”, tha Vuçiq për televizionin Pink të Serbisë.
(r.m.)