Osmani: Vetëm Rusia është më larg NATO-s se Serbia

Prishtinë, 20 mars 2024 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është më pranë NATO-s se Kosova.

Presidentja Osmani ka thënë se Serbia as nuk mund të ëndërrojë të jetë pjesë e NATO-s, derisa i shkel vlerat kryesore mbi të cilat qëndron aleanca veri-atlantike. Ajo  ka theksuar se Serbia as nuk ka shprehur ndonjëherë interes të bëhet pjesë e NATO-s dhe vazhdon veprimet që cenojnë paqen dhe stabilitetin e vendeve fqijnje: Kosovës, Bosnjës e Hertcegovinës dhe Malit të Zi.

“Kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s e ofendon jo vetëm çdo shtet demokratik, por edhe të gjitha viktimat e Serbisë së Millosheviqit.

“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se Serbia dhe ai është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht i ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO – mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që i shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare – siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë të jetë pjesë e NATO-s.

E dyta, Serbia vetë është kundër vlerave të NATO-s dhe nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet në NATO. Pra, është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO, sepse është kundër NATO-s.

E treta, Serbia është një shtet që para pak muajsh ka kryer një akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, që vazhdimisht tenton të shkatërrojë Bosnjën e Hercegovinën nga brenda dhe të njëjtën e bën edhe në Malin e Zi”, ka thënë ajo.

Të martën, më 19 mars, në një intervistë për transmetuesin publik serb, Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se aktualisht Serbia është më pranë NATO-s se Kosova.

Si ka thënë se NATO-ja punon çdo ditë me ushtrinë serbe, organizon trajnime dhe bën ushtrime të përbashkëta me ushtrinë e Serbisë.

(r.m.)