Osmani: Vlerësimet për draftin e Asociacionit do t’i jap me shkrim, kur të ketë nënshkrim

Prishtinë, 30 tetor 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se e ka lexuar draftin evropian për  Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por nuk tha nëse ky draft është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ajo tha se vlerësimet për këtë daft do t’i japë me shkrim, në momentin që do të ketë nënshkrim, por theksoi se vlerësimin përfundimtar këtë çështje duhet ta bëjë Gjykata Kushtetuese.

“Siç e dini, më 23 tetor është dorëzuar një plan i ri nga pesëshja evropiane dhe amerikane, por unë nuk do të ngutesha të vlerësoj nëse i njëjti është në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Këtë duhet ta bëjë vetë institucioni më i lartë”, tha Presidentja Osmani.

“Në Takimin në Bruksel, Kosova ka shprehur vullnet për të nënshkruar Marrëveshjen, Aneksin dhe draftin statutit (të Asociacionit). E kam lexuar dhe analizuar, mirëpo vlerësimet e mia do t’i jap me shkrim, në momentin që do të kemi nënshkrim. Kur i njëjti të shkojë në Kushtetuese, sipas dispozitave ligjore, do t’i dërgoj komentet si Presidente”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani i bëri këto komente në konferencën e përbashkët për medie me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë.

Ajo tha se në takimin me zonjën Von der Leyen ka kërkuar heqjen e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë për de-eskalimin e situatës në pjesën veriori të vendit dhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm të veprimeve me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Në takim potencova edhe rëndësinë dhe nevojën e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës. Institucionet tona, gjatë muajve të kaluar, kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira. Por, për fat të keq, adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd”, tha ajo.

Presidentja Osmani e akuzoi Serbinë për akte destabilizuese në Kosovë. Ajo tha se Bashkimi Evropian duhet të jetë i bashkuar në dënimin e këtyre akteve.

“Siç ia shpreha Presidentes von der Leyen, ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve keqdashëse, të cilat  i minojnë edhe vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Kosova është e përkushtuar për të respektuar Kushtetutën e saj, e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë, jo vetëm në rajon por në të gjithë kontinentin tonë”, u shpreh ajo.

Presidentja Osmani i bëri edhe një herë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë në Kosovë të gjithë personat që janë përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Grupi terrorit i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë standardet më të larta për gjykim të drejtë dhe i bëjmë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë individët dhe zyrtarët që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti terrorist”, tha Presidentja e Kosovës.

(r.m.)