Beograd, 2 prill 2021 – Presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq, i kishte dërguar në Paris dhe në Berlin hartat për ndarjen e Kosovës, ka deklaruar Ana Otasheviq, analiste e qendrës për hulumtime dhe publikime në Serbi, DEMOSTAT.
Në një intervistë për FONET, Otasheviq ka thënë se ndarja e Kosovës ka qenë temë kryesore në përpjekjet diplomatike të Serbisë, në margjina të dialogut midis presidentit të Serbisë, Alekdanda Vuçiq, dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas saj, Vuçiqi kishte shkuar në Francë me harta për ndarjen e Kosovës nën sqetull dhe ato ia kishte dorëzuar shefit të diplomacisë franceze.
Otasheviq ka thënë se presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk kishte qëndrim të qartë lidhur me ndarjen, derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishte kategorikisht kundër ndarjes.
“Në Francë ishin të pavendosur, kështu që ishte krijuar përshtypja se atje kishte një qëndrim që ishte i ndryshëm nga ai i Gjermanisë”, ka thënë ajo.
Ana Otasheviq, e cila është bashkëpunëtore e revistës franceze “Le Monde diplomatique”, ka folur edhe për Raportin e Parlamentit Evropian për Serbinë, të miratuar ditë më parë. Ajo ka thënë se nga ky raport mund të nxirret përfundimi se Bashkimi Evropian po heq dorë nga logjika se stabiliteti i rajonit është më I rëndësishëm së sa standardet dhe vlerat që i përfaqëson Bashkimi Evropian.
“Në qoftë se më herët në politikat e Bashkimit Evropian ishte vendosur në njërën anë të peshores sundimi i ligjit dhe vlerat tjera të Unionit, kurse në anën tjetër ishte vendosur stabiliteti rajonal, dhe në atë rast i ishte dhënë më shumë rëndësi stabilitetit, tani duket se gjërat kanë ndryshuar, gjë që shihet edhe në këtë raport (të Parlamentit Evropian)”, është shprehur Oasheviq.
Ajo ka theksuar se Bashkimi Evropian po miraton standardet e vendosura nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë qartë se vendet që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian duhet të arrijnë vlerat evropiane.