Prishtinë, 19 qershor 2013 – Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e konsiderojnë vazhdimin e arrestit shtëpiak të Fatmir Limaj dhe bashkëluftëtarëve të tjerë lidhur me rastin e “Kleçka” si akt të motivuar politikisht, të pa argumentuar dhe në kundërshtim me të gjitha praktikat ligjore.
“Për më shumë se një dekadë ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë. Administrata ndërkombëtare, përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave.
Sipas tyre, me këto veprime EULEX po dëshmon se nuk ka ardhur në Kosovë për të vendosur drejtësi, por për të përndjekur luftëtarët e lirisë.
OVLUÇK edhe një herë u bën thirrje institucioneve shtetërore të vendit që ta marrin seriozisht kërkesën e tyre për heqjen e mandatit ekzekutiv të EULEX-it.
R.M.