Nairobi (Kenia), 25 maj 2022 – Ndërsa elita globale e biznesit është mbledhur në vendpushimin malor zviceran të Davosit për Forumin Ekonomik Botëror, Oxfam thotë se ata kanë arsye për të festuar.
Një studim i kësaj orgranizate bamirëse tregon se pasuria e 2668 miliarderëve në botë është rritur me 3.78 trilionë dollarë që nga viti 2020.
“Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të triliona dollarëve që vendet e pasura i derdhën në ekonomi në përgjigje të COVID-19, duke rritur çmimet e aksioneve në bursa. Tani po shohim një rritje të madhe të pasurisë së miliarderëve, si rezultat i fitimeve të tyre në sektorët e ushqimit dhe energjisë, të nxitur nga rritja e çmimeve”, thotë Max Lawson, shef për politikat e pabarazisë në organizatën Oxfam.
Sipas organizatës Oxfam, 573 miliarderë të rinj janë krijuar që nga viti 2020. Dhjetë njerëzit më të pasur në botë, tani zotërojnë më shumë pasuri se 40 përqindëshi më i varfër i njerëzimit, ose 3.1 miliardë banorë.
Ndërsa pasuria e miliarderëve është rritur, në dy vitet e fundit ka patur një përkeqësim të gjendjes së të varfërve, duke vënë në rrezik përparimin e arritur në dekadat e fundit në luftën kundër varfërisë.
“Po ndeshemi me një krizë pabarazie, një krizë urie të shkaktuar nga ndryshimet klimatike në të gjithë botën. Rritja e çmimit të ushqimeve dhe problemet e lidhura me pandeminë e COVID-19 kanë rënduar më tej gjendjen”, thotë Max Lawson, shef për politikat e pabarazisë në organizatën Oxfam.
Programi Botëror i Ushqimit, një organizatë e OKB-së paralajmëron se 49 milionë njerëz janë në rrezik të menjëhershëm nga uria në 43 vende.
“Tani kemi nevojë për 68 miliardë dollarë shtesë. Ajo që kërkojmë është e barabartë me rritjen e pasurisë së tyre për një, ose dy ditë. Mendoj se kjo është një kërkesë e arsyeshme për të pasurit që të ndihmojnë në luftën kundër urisë, destabilizimit dhe migrimeve masive në botë.”
Programi Botëror i Ushqimit thotë se Ukraina zakonisht furnizon botën me drithëra të mjaftueshëm për të ushqyer 400 milionë njerëz, por portet e saj janë të bllokuara nga Rusia.
“Nëse nuk ripahen këto porte, do të kemi problem me rritjen e çmimit të ushqimit në 10 deri në 12 muajt e ardhshëm. Por vitin e ardhshëm, problem do të jetë mungesa e artikujve ushqimorë, që do ta rëndonte shumë gjendjen”, thotë drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit.
Oxfam thotë se qeveritë kanë fuqinë për të trajtuar pabarazinë në rritje.
“Këto janë paratë tona. Ato kanë rritur pasurinë e këtyre kompanive. Duhet të përgjigjemi, duke vendosur një taksë të njëhershme solidariteti dhe taksa të tjera ndaj të pasurve për të rikthyer ekuilibrin ekonomik në botë”, thotë Max Lawson nga organizata bamirëse Oxfam.
Disa vende evropiane kanë vendosur taksa mbi rritjen e papritur të fitimit ndaj firmave të energjisë. Të tjerë argumentojnë se taksa të tilla do të pengonin investimet në një kohë kritike, ndërsa vendet perëndimore përpiqen të heqin dorë nga importet ruse të energjisë.
(Zëri i Amerikës)