Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikanë apo nacionalitet të huaj. Sapo kisha filluar turnin e natës, ku pacintja që do të merja nga salla e urgjencës për ti bërë x-ray (radioskopi) ishte serbe. Infermieri, një afrikan – amerikan më thotë, po ta le ty këtë paciente, m’u duk si shqiptare, por qenka serbe.
Në fillim u turbullova pak, por shpejt e përmblodha veten…
Punoj si ndihmës teknike në spital, në departamentin e radiologjisë pranë urgjencës. Ndihem mirë që kam punë, e që kam mundësi të jap ndihmesën time modeste për njeriun e sëmurë. Sigurisht nuk bëj dallime raciale apo etnike, për të gjithë kujdesem njësoj, por nuk e kisha çuar në mendje se si do të veproja në një rast të tillë.
I afrohem pacientes. Ishte vajzë e re, nën konvulcione të forta. Kishte edhe temperaturë të lartë e nga çasti në çast mund të kalonte edhe në koma. Në urgjencë sipër krevatit i kishin hedhur një çarçaf të hollë, që nuk i jepte mundësi për të përballuar gjithë atë të ftohtë që ndjente brenda vetes, për shkak të sëmundjes që e kishte mbërthyer.
E pyes për emrin, por jo vendin se nga vinte. E para për privatësinë e pacientit, e dyta kolegu sapo më tregoi që ishte serbe. Pacientja shoqërohej nga një vajzë e re. Ishte e motra, me një tualet të rëndë në flokë e në fytyrë, që në përgjithësi femrat shqiptare nuk e aplikojnë në make-up e tyre. Ndërkohë ato mësuan për mua që isha shqiptare. E sëmura qante e vazhdonte të dridhej nga ethet e forta e temperatura e lartë.
Mos u mërzit i them, këtu je në duar të sigurta e do të bëhesh mirë. Mora tri batanie të bardha të ngrohta nga një makineri – mikrovale që mban të ngrohta bataniet e spitalit e i mbulova trupin. Filloi të ngrohej, e të vinte në vehte. U çuditën të dyja, e më thanë njëzëri faleminderit. Nëse ju duhet diçka tjetër, i thashë, mos hezitoni.
“Montefiore” Hospital në Bronx renditet në një ndër spitalet më të suksesshme tashmë në SHBA dhe numri i të shtruarve është gjithnjë në rritje, e në atë mori pune e fluksi pacientësh gjeta mjekun e saj të rojes, i tregova situatën e rëndë në të cilën ndodhej. Mjeku erdhi e pa përsëri e më falenderoi që e vura menjëherë në dijeni, edhe e sëmura me të motrën më falenderuan njëherazi e më vështronin me kërshëri gjatë gjithë kohës që qëndruan në sallën e emergjencës…
Ndërkohë që kujdesesha për të sëmurën, brenda vetes sillja në mendje krimet e masakrat monstruoze serbe ndaj vajzave, motrave e nënave tona të pa mbrojtuara gjatë luftës në Kosovë. Pjesa dërmuese e të cilave akoma vuajnë nën ato plagë. Apo që po humbin jetën dita ditës, duke lenë fëmijët jetim e duke u braktisur nga familjarët e tyre. Gjithashtu nga media sapo kisha mësuar, se në Tribunalin e Hagës ish ndihmësi i Punëve të Brendshme të Serbisë Vlastimir Gjorgjeviq kërkonte falje për krimet e kryera në Kosovë, duke deklaruar se, gjatë vitit 1999 janë bërë krime ndaj shqiptarëve. Ai gjithashtu kishte pranuar se ka marë pjesë në fshehjen e zhvendosjen e eshtrave të 724 trupave civile shqiptare në Batajonicë, Petrovo Selo të Klladovës dhe në liqenin Peruçaç.
Mbase edhe vajzat serbe të njëjtën histori – lufte po mendonin, përderisia më shikonin ashtu të habitura… Ndoshta jo…