Uashington, 20 maj 2021 – Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer i tha Zërit të Amerikës se përcaktimi i figurave të huaja publikisht nga Sekretari i Shtetit për përfshirje në korrupsion është një prej mjeteve që përdorin Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsonin. I pyetur në lidhje me kohën e daljes së njoftimit për ish Presidentin Sali Berisha, zoti Palmer tha se koha nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë.
“Nuk do t’i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumenta që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, tha zoti Palmer.
“Zoti Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, shtoi zoti Palmer.
“Ky është një ndër instrumentat që ne kemi për të luftuar korrupsionin publik. Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit.
(Zëri i Amerikës)