Palmer: SHBA dëshirojnë që Mali i Zi të mbrohet nga ndërhyrjet e huaja

Podgoricë, 7 korrik 2021 – “Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin Malin e Zi si një vend stabil, në rrugën e integrimit evropian dhe të mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja”.

Këtë e ka thënë zëvendësi i ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, të mërkurën, në Podgoricë, pas takimit me presidentin malazias, Milo Gjukanoviq.

Presidenca e Malit të Zi njoftoi se z. Palmer ka thënë gjithashtu se është në interesin e SHBA-së që së bashku me Bashkimit Evropian të kontribuojnë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa presidenti Gjukanoviq ka shprehur mirënjohje për angazhimin e shtuar të SHBA-së në rajon.

“Kjo është një mënyrë e mirë për të ulur ndikimin malinj që bartë rrezikun e destabilizimit”, citohet të ketë thënë Gjukanoviq, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor është rritur ndikimi nga Rusia dhe nga Kina, përmes investimeve ekonomike.

Vendet e Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina) synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mirëpo Brukseli nuk ka dëshmuar se kavullnet për përshpejtimin e procesit të pranimit të këtyre vendeve në bllokun 27 anëtarësh, pjesërisht edhe për shkak të mungesës së reformave në sundim të ligjit.

Në fund të javës së kaluar, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Palmer mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Prespa Forum” ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe udhëheqës të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai shprehu dëshpërimin e tij që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjë që, sipas tij, mund të rrisë skepticizmin, por edhe mund të minojë rolin e SHBA-së dhe Evropës në sigurinë dhe integrimin e rajonit.

Palmer shprehu zhgënjimin edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

(r.m.)