Prishtinë, 2 qershor 2021 – Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ka deklaruar se SHBA-të nuk janë palë në dialogun Kosovë – Serbi, por janë hisedarë në këtë proces.
“Jemi partnerë të përkushtuar të Shërbimit për Veprim të Jashtëm Evropian (EEAS), të Miroslav Lajçakut, jemi partnerë të përkushtuar për Kosovën, jemi partnerë të përkushtuar për Serbinë. Pra, edhe nëse nuk jemi ulur në tavolinë apo në sallë kur debatohet për çështje të ndryshme, kemi folur për këto çështje me të gjitha palët në proces në raste të shumta. Kemi pasqyrë shumë të mirë e të qartë për çështjet për të cilat diskutohet. Jemi pjesë e bisedës. Pra, në këtë kuptim, po marrim pjesë në negociata edhe nëse nuk jemi palë në to”, ka thënë Palmer në një intervistë për RTK-në.
Palmer ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk po qëndrojnë në margjina të këtij procesi.
“Drejtpërdrejt jemi të angazhuar dhe të përfshirë në mbështetjen e negociatave. Kjo në të vërtetë është edhe pjesë e porosisë së vizitës sime bashkë me Miroslav Lajçakun, për të theksuar sa shumë është SHBA-ja e përkushtuar, e përfshirë dhe e angazhuar në këtë proces”, ka thënë ai.
Palmet ka përsëritur se SHBA-të angazhohen për një një marrëveshje të qëndrueshme midis Kosovës e Serbisë që bazohet në njohjen reciproke.
“Do të dëshironim një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Serbisë dhe Kosovës, e cila në mënyrë ideale për ne përqendrohet në njohjen e dyanshme, e cila, siç e shohim ne, vërtetë e vë këtë çështje prapa krahëve dhe hap rrugëtim të pastër evropian për të dy vendet”, ka thënë Palmer.
I pyetur drejtpërdrejt nëse SHBA-të do të emërojnë një të dërguar të posaçëm për dialogun Kosovë- Serbi, Palmer ka lënë të kuptohet se tash për tash ai është i ngarkuar i Uashingtonit për dialogun.
“SHBA është e angazhuar në këtë proces, po i kushton vëmendje të posaçme procesit. Jam këtu sot për të demonstruar se Miro Lajçak dhe unë jemi miq të mirë, flasim në telefon për këto çështje të paktën një herë në javë, takohemi rregullisht. Jemi të përkushtuar dhe të angazhuar ndaj procesit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, është shprehur ai.
Palmer është pyetur edhe lidhur me marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës. Ai ka thënë se palët e përfshira në dialog duhet t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.
“Palët duhet t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura. E kuptoj që ka elemente të marrëveshjes për Asociacionin që duhet të diskutohen, por kjo s’duhet ta pengojë procesin. Ne nuk do të themi se çka duhet të bëjë Kosova. Qeveria e Kosovës duhet të vendos se si do t’i qaset kësaj çështjeje”, ka thënë Palmer.
Ai ka thënë se Kosovës i takon të marrëvendim lidhur me ndryshimet e mundshme kushtetuese.
“Kosova duhet të shohë se cilat janë mundësitë e saj, çka ka Kosova për t’i dhënë këtij procesi. Nuk është e lehtë”, ka thënë zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer.
(r.m.)