Panair me stampë shqiptare në rrugën Gjergj Kastriot Skënderbeu, Bronx, New York

Nga Keze Kozeta Zylo

Mijëra shqiptarë u mblodhën së bashku në Panairin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e organizuar nga z. Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” në bashkëpunim me z. Aleksander Nilaj President i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Open Hands”, drejtues të stafit si znj. Vera Mjeku akiviste e shquar dhe dhjetra organizata shqiptare që ndihmuan vullnetarisht këtë organizim madhështor.

Natyrshëm ndihem krenare për pjesëmarrjen aktive vullnetarisht si media me TV dhe gjithë shkollat Shqipe “Alba Life” në New York dhe në Online.

Prezantuesit si Mary Camaj, Jorinda Gocaj dhe Ardhmir Malziu kane sjellë në skenë dhjetra artistë, politikanë, nxënës shkollash për koncertin madhështor që u organizua në nderim të Kryeheroit Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. 

Me emocione u mirëpritën punonjësit e polisicë së NY-ut, “NYPD Illyrian Society of Law Enforcement Officers” dhe kalorësit krenar që parakalonin pranë mijëra pjesëmarrësve. 

Ceremonia u hap me interpretimin e dy himneve amerikane dhe shqiptare interpretuar nga Fiorela Miria dhe Ilsi Ademi.

Në këtë program të pasur debutuan mjeshtërisht midis shumë pjesëmarrësve si:  

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, Qendra kulturore Shqiptare Amerikane “Struga”, Ansambli Folklorik Autokton Rugova, Barbana, Nora e Kelmendit, Rozafati dhe shumë të tjerë. 

Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të shquara të artit si top modelja e famshme në Amerikë, znj. Emina Çunmulaj, fotografi me famë botërore Fadil Berisha, Humanisti i madh

Dr. Bari Ceka, znj. Vasfije Krasniqi Goodman e cila eshtë dëshmitare direkte e përdhunimit seksual.  Zonja Vasfije Krasniqi Goodman deputete në Parlamentin e Kosovës është e mbijetuara e dhunës dhe e para grua që dëshmoi para botës se ishte viktimë e dhunës seksuale nga kriminelët serbë dhe genocidi serb.

Artistë të shquar si Gëzim Nika Mjeshtër i Madh, Arian dhe Dea Kërliu, Valbona Peraj, Hajro Ceka, Vedat Ademi, Dionis Delia, Nik Carku e shumë të tjerë si dhe DJ Edi argëtuan me plot profesionalizëm dhe kulturë pjesëmarrësit.

Nderoi me pjesëmarrjen e tij Udhëheqës i Shumicës së Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Chuck Shumer, Senatore e shtetit të Nju Jorkut znj. Natalia Fernandez, Ansambleisti z. John Zaccaro, Komisionere e Çështjeve Kulturore të NYC znj. Laurie Cumbo e shumë të tjerë.

Fëmijët u argëtuan me lodra të ndryshme sjellë dhe organizuar perfekt për këtë ditë të rëndësishme kombëtare.

Duke ecur në këtë udhë të ndritur të Panairit midis shumë veshjeve, asortimenteve ushqimore, kinkalerive, lodrave, bizhuterive, punimeve me dorë,  binte në sy Përkrenarja e Skënderbeut.

Cfare shkëlqimi kishte marrë rruga!  Ja, e mora e vura në kokë dhe një zë tmerrues osman më gjëmonte veshët: Ai ishte Sulltan Mehmeti II, sundimtari i Perandorisë Osmane që pushtoi tokat Arbërore i cili ka thënë, kur vdiq Gjergj i madh se:  “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një Luan i tillë!”

Ishte njëFestival shqiptar, kuq e zi, me ngjyra të larmishme, që ka si qëllim të promovojë historinë, kulturën dhe traditat e mrekullueshme shqiptare.

Pjesëmarrësit me aparate në dorë shkrap e shkrup bënin foto në Rrugën me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” emër që i ka bërë dhe do t’i bëjë krenar përjetësisht, ngase ai luftoi dhe fitoi për 25 vjet rresht kundër turqve. 

Duke qenë në Atdheun e dytë në Amerikë nuk ka se si të mos më kujtohen nga historia trimeritë e pashoqe të tij sjellë plot art dhe histori nga poeti i shquar amerikan Henry Wadsworth Longfellow i cili shkruan:  Nga kështjella shpejt ka rënë/ Flamuri me gjysmë-hënë/ Edhe populli shikon/ Që në vënt të tij valon/ Flamur’ i Skënderit n’erë/ Shkab’ e zezë me dy krerë…

Përkthyer nga Fan Noli.

Panairi u mbajt, më 7 maj 2023 nga ora 12:00 deri 18:00 mbasdite në Arthur Ave & Crescent Ave Bronx, NY.

Uroj që  Panairi me emrin e Kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu të vazhdojë

përjetësisht!

7 Maj, 2023

Bronx, New York