Vatikan, 17 prill 2022 – Papa Françesku kritikoi në mënyrë të qartë Rusinë për futjen e Ukrainës në një konflikt mizor e të pakuptimtë dhe u kërkoi udhëheqësve botërorë të përpiqen për paqe, ndërsa ai shënoi të dielën ato që i quajti “Pashkë lufte”.
Papa i bëri komentet gjatë fjalimit të tij “Urbi et Orbi” një bekim apostolik dhënë nga Papa në raste solemne e që tradicionalisht i kushtohet konflikteve botërore. Rreth 100 mijë njerëz ishin mbledhur në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit.
Kjo është Pashka e parë që nga viti 2019 që publiku u lejua në shesh për të dëgjuar fjalimin e Papës, pas dy vitesh kufizime për shkak të pandemisë së COVID-19.
Papa ia kushtoi pjesën më të madhe të mesazhit të tij Ukrainës, duke e krahasuar tronditjen e një lufte tjetër në Evropë me tronditjen e apostujve kur sipas ungjilli, panë Jezusin e ringjallur.
“Edhe sytë tanë janë mosbesues në këto Pashkë lufte. Kemi parë shumë gjak, shumë dhunë. Edhe zemrat tona janë mbushur me frikë dhe ankth, dhe shumë nga vëllezërit dhe motrat tona janë detyruar të mbyllen që t’u shpëtojnë bombardimeve”, tha ai.
“U bëftë paqe për Ukrainën e shkatërruar nga lufta, aq e sprovuar nga dhuna dhe shkatërrimi i kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë në të cilën e futën”, tha ai.
Moska thotë se po kryen në Ukrainë një “operacion special ushtarak”.
Papa Françesku, i cili nuk e përmendi Rusinë me emër, tashmë e ka hedhur poshtë këtë përkufizim, duke e quajtur atë një luftë dhe duke përdorur sikurse edhe më pare përkufizime si agresion e sulm i pajustifikuar.
Në fillim të këtij muaji në Maltë, Papa Françesku kritikoi Presidentin rus Vladimir Putin lidhur me sulmin, duke thënë se një “sundimtar” po nxiste konflikt për interesa nacionaliste.
(Zëri i Amerikës)