Papagallët e “Botës Serbe” në Bruksel!

Emin AZEMI

Moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2015 për hapjen e Urës së Ibrit është uvertyra e projekteve të Beogradit për ndarjen e Kosovës, jo sipas vullnetit të shumicës shqiptare, por sipas vullnetit të pakicës serbe e përfaqësuar nga Vuçiqi, Vulini, Daçiqi, Radojçiqi. etj. Një zëdhënës në Bruksel që ‘kujdestaron’ mbi Urën e Ibrit me deklarata kundër hapjes së saj, në fakt bën telallin e Beogradit dhe po i bie që ai nuk është zëdhënës i BE-së por është papagall i ‘botës serbe’!

 

Ku i gjejnë gjithë këto ‘argumente’ kundërshtarët e hapjes së Urës së Ibrit, kur dihet se kjo punë ka qenë e rregulluar qysh me marrëveshjen për revitalizimin e kësaj ure më 25 gusht të vitit 2015 nënshkruar nga ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ish-kreu i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërsa koha e përcaktuar me këtë marrëveshje për hapjen e urës në qarkullin të plotë ishte 20 janari i vitit 2017.

Nga 2017 deri në 2024 kanë kaluar shtatë (7) vjetë…

Ku është tash problemi?!

Pse nuk zbatohet kjo marrëveshje?

Kjo është pyetja që duhet të përbëjë thelbin e shqetësimit të opozitarizmit kosovar dhe mediave…

Insistimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit sipas marrëveshjes së vitit 2015, çuditërisht po kualifikohet si veprim i njëanshëm, ndonëse në këtë marrëveshje asgjë s’ka të njëanshme, sepse janë Isa Mustafa dhe A. Vuçiq ata që janë marrë vesh për hapjen e urës…

Një marrëveshje që nënshkruhet dhe nuk zbatohet, do të duhej të paraqes shqetësimin kryesor të opinionit publik të Kosovës, sepse në bazë të reagimit dhe presioneve të opinionit publik, po ndërtohet pastaj edhe qëndrimi (i njëanshëm) i diplomatëve ndërkombëtarë, sidomos atyre në Bruksel dhe Washington….

Ata që po e dizajnojnë në këtë mënyrë të përçudnuar opinionin publik kosovar, janë duke e futur gabimisht (me apo pa vetëdije) vendin e tyre në axhenda të rrezikshme, me pasoja të rënda për sovranitein dhe integritetin e Kosovës….

Moszbatimi i Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2015 për hapjen e Urës së Ibrit është uvertyra e projekteve të Beogradit për ndarjen e Kosovës, jo sipas vullnetit të shumicës shqiptare, por sipas vullnetit të pakicës serbe të përfaqësuar nga Vuçiqi, Vulini, Daçiqi, Radojçiqi. etj.

Një zëdhënës në Bruksel që ‘kujdestaron’ mbi Urën e Ibrit me deklarata kundër hapjes së saj, në fakt bën telallin e Beogradit dhe po i bie që ai nuk është zëdhënës i BE-së por është papagall i ‘botës serbe’!

Gazetari serb Radomir Dimiq, ka thënë se në emër të perspektivës multi-etnike evropiane të Kosovës ideja për hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë është e mirë për integrimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve nga të dyja anët.

“Prandaj akuzat e Beogradit që me hapjen e urës së Ibrit kryeministri i Kosovës dëshiron të nxisë luftë, janë tërësisht të pabaza dhe të papranueshme. Është e papranueshme që në këtë mënyrë të nxitet panik dhe frikë te qytetarët në veri të Kosovës, për të cilët Qeveria e Kosovës ka pasur mirëkuptim që për më shumë se dy dekada të mos e paguajnë rrymën, ujin dhe detyrimet tjera”, ka thënë Dimiq.

Segmente të caktuara të diplomacisë ndërkombëtare po kordinohen me Beogradin kundër interesave të Kosovës, ndërkohë që nga Qeveria e Kosovës kërkojnë që veprimet e saja t’i koordinojë me Brukselin dhe Washingtonin.

Për çfarë koordinimi flasin ndërkombëtarët, kur janë vet ata që me qëndrimet e tyre joparimore dhe të njëanshme po e tolerojnë moszbatimin e marrëveshjeve paraprake (!) dhe me këtë po e rrezikojnë stabilitetin e Kosovës…

Nëse dikur mbi urën e Ibrit qëndronin rojat e Radojçiqit e Ivanoviqit, tash ato janë zëvendësuar me do roja të tjera të veshura me kostume diplomatësh ndërkombëtarë që për çdo ditë ia ngulin nga një thikë pas shpine sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

 

Shkup, 16 gusht, 2024