Podgoricë, 9 janar 2022 – Mali i Zi hyri në vitin 2022 me një paqëndrueshmëri politike, e cila pritet të thellohet edhe më shumë.
Fërkimet politike nisën që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, ku pas 3 dekadash formohet një qeveri pa partinë e presidentit aktual Milo Gjukanoviç.
Qeveria e re malazeze u mbështet nga partitë qytetare, por edhe nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Malit të Zi dhe kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në NATO.
Tensionet mes grupimeve politike në Mal të Zi kanë rezultuar vazhdimisht në konflikte, protesta dhe sulme të ndryshme, kurse kulmi i tensioneve ishte shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse serbe, Joanikije në Manastirin e Cetinës me 5 shtator.
Shugurimi shënoi protesta dhe incidente duke i thelluar edhe më shumë përçarjet në shoqërinë malazeze. Kjo shënoi plasaritjet e para në qeverinë e re, ku anëtarët e koalicionit qeverisës nisën ta kundërshtonin qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiç.
Këto mosmarrëveshje e motivuan opozitën malazeze për të kërkuar mocionin e mosbesimit, por nuk ia doli të sigurojë një votë që i duhej për ta rrëzuar qeverinë.
Në anën tjetër Lëvizja Qytetare “Ura” me Zv/kryeministrin Dritan Abazoviç arriti t’i mbledh partitë e pakicave dhe disa parti tjera që janë pjesë e qeverisë, të cilët në mesin e dhjetorit nënshkruan Memorandumin e bashkëpunimit me ” synimin për të zbutur polarizimin politik në vend.”
Ndërkohë ky memorandum shihet nga analistët “si përgatitje për një qeveri të pakicave.”
Në kulmin e fërkimeve politike, në fillim të nëntorit, Malin e Zi e vizitoi Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, i cili inkurajoi reformat në sistemin prokurorial, ligjet zgjedhore dhe integrimin rajonal të Malit të Zi.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë të gjithë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran dhe gjithëpërfshirës”, tha zoti Escobar.
Edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kërkuan që “në Mal të Zi të zhvillohet një dialog i gjerë politik ndërpartiak, që synon kapërcimin e ndarjeve. Kjo do të ishte kyçe në ruajtjen e stabilitetit dhe avancimit drejt orientimit perëndimor”, thanë ata.
Ky vit, sipas analistëve “do të jetë me shumë sfida drejt aspiratave euro-atlantike dhe qytetarëve të tij”. Këto sfida, shtojnë ata, pritet të jenë edhe më të fuqishme përballë kërcënimeve ruse dhe serbe ndaj demokracisë shumëetnike në Mal të Zi që kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe ngushtimin e hapësirës së perspektivës evropiane.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)