PARA DHE PAS 17 JANARIT 1982: DISA NGA SUKSESET E DIASPORËS SHQIPTARE DHE TË ISH-EMIGRACIONIT POLITIK SHQIPTAR

Nga Fatmir Lekaj

I

Është fakt i ditur se në rastin e shqiptarëve, roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare ka ndikuar edhe për nismën dhe inkurajimin e procesit të kombformimit shqiptar. Ngase pothuajse të gjithë ideologët e fazës së parë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare jetonin jashtë atdheut dhe ishin të arsimuar dhe të influencuar nga idetë e iluminizmit dhe romantizmit. Përveç të tjerëve, Naum Veqilharxhi ishte në moshë të mitur kur familja e tij emigroi në Rumani. Jeronim de Rada ishte pasardhës i një familje emigrantësh shqiptarë që kishin emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut. Thimi Mitko, emigrant në Egjipt. Elena Gjika, kishte lindur në Konstancë të Rumanisë dhe ishte vajzë e një fisniku me origjinë shqiptare. Ndërsa Hasan Tahsini dhe Konstantin Kristoforidhi ishin emigrantë në Stamboll. Veprimtaria e tyre karakterizohet nga zhvillimi i studimeve mbi historinë, gjuhën, duke përfshirë alfabetin, folklorin, letërsinë, artin, botimin e gazetave, themelimin e shoqatave kulturore dhe arsimin – në kuptimin e kërkesave për hapjen e shkollave shqipe, krahas atyre greke, latine etj., në kuadër të Perandorisë Osmane. Qëllimi kryesor i ideologëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishte unifikimi i shqiptarëve në një komb, pa dallim të feve dhe ndarjes administrative të shqiptarëve, në kuadër të Perandorisë Osmane. [1] Edhe studiues të huaj i japin rëndësi të veçantë veprimtarisë patriotike të diasporës shqiptare. Për shembull sipas historianit Noel Malcolm, arbëreshët e Italisë, të influencuar nga «Risorgimento» (Rilindja), kanë qenë më radikalët në kuadër të idesë për çlirimin dhe pavarësimin e plotë të shqiptarëve në një shtet shqiptar në Ballkan, duke përfshirë edhe qarqet intelektuale-patriotike të diasporës shqiptare në Rumani, Bullgari dhe deri në Egjipt, të cilët kanë pasur një rol të rëndësishëm, e veçanërisht Bashkësia Shqiptare e Stambollit, që ka pasur kontaktin më të drejtpërdrejtë me trevat shqiptare.[2] Gjithashtu ballkanologu Svein Mønnesland, konsideron se fillesa e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare zuri vend jashtë trojeve shqiptare, veçanërisht në kuadër të qarqeve intelektuale-patriotike shqiptare, në Bukuresht dhe Stamboll.[3] Këto nisma jashtë atdheut (në diasporë), e karakterizojnë fazën e parë (a) të procesit të kombformimit shqiptar, që në historiografinë shqiptare identifikohet me fillesën e të ashtuquajturës Rilindja Kombëtare Shqiptare, dhe që mund ta quajmë edhe si fillesë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ose si fillesë e ngjizjes së identitet kombëtar shqiptar. Për më tepër kjo fazë e parë (a) ka qenë e rëndësishme për shtytjen / kalimin në fazën e dytë (b) të procesit të kombformimit shqiptar, që rezultoi me organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) etj. Në lidhje me rëndësinë e fazës së parë (a), studiuesi i shquar i procesit të kombformimeve, Miroslav Hroch, konsideron se në shumë raste, faza b është bërë më e suksesshme kur të tjerët para tyre (faza a) kanë kontribuar për një ide/vetëdije të përbashkët kombëtare. [4]

Rrjedhimisht mund të konstatohet se në rastin e shqiptarëve, suksesi i parë i madh i diasporës shqiptare është nisma/fillesa e procesit të kombformimit shqiptar (drejt unifikimit të shqiptarëve në një komb, pa dallim të feve dhe ndarjes administrative të shqiptarëve, në kuadër të Perandorisë Osmane), dhe kontributi i vazhdueshëm i diasporës shqiptare në kuadër të procesit të përgjithshëm të kombformimit shqiptar duke përfshirë ngjarjet (si Kongresi i Manastirit etj.), që i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Vlen të theksohet se menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (e cila shpallje përfshiu edhe Kosovën), u organizua Konferenca e Ambasadorëve në Londër në dhjetor 1912, ku u morën vendimet për copëtimin e dytë të territoreve të banuara me shqiptarë (pas copëtimit të parë në Kongresin e Berlinit). Tashmë pothuajse gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë (Kosova me vise dhe Çamëria), mbetën nën pushtimin e vendeve fqinje (Serbisë, Greqisë etj.). Ndërsa me insistimin e Austro-Hungarisë dhe Italisë u arrit të pavarësohet vetëm gjysma e territoreve të banuara me shqiptarë, e ashtuquajtura Shqipëria Londineze. Me fjalë të tjera, fuqitë e mëdha perëndimore, nuk munden t’i rezistojnë ekspansionit të mëtutjeshëm serb të ndihmuar nga Rusia dhe kjo rezultoi me ndarjen e kombit shqiptar në dysh, ku gjysma e kombit shqiptar mbeti nën okupimin e vendeve fqinje si një rast unik në kontinentin evropian. Ky gjymtim i Shqipërisë konsiderohej si një kompromis i domosdoshëm për ta arritur paqen evropiane në mes të fuqive të mëdha. Drejtuesi i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (njëherësh ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe), Edward Grey, gjatë raportimit të tij më 12.08.1913, në parlamentin britanik u shpreh: “Duhet mbajtur në mend se në bërjen e kësaj marrëveshje, rëndësi kryesore pati ruajtja e mirëkuptimit mes vetë fuqive të mëdha, e nëse marrëveshja mbi Shqipërinë e arrin këtë, atëherë ka bërë punën më të rëndësishme në interes të paqes në Evropë”.[5] Pa u mbushur një vjet nga ky raportim i Edward Greyit, shpërtheu Lufta e Parë Botërore dhe e prishi paqen evropiane dhe më gjerë, njëkohësisht u vu në pikëpyetje pavarësia e Shqipërisë. Megjithëkëtë, fitorja e Bolshevikëve në Rusi (që, përveç të tjerash, ndikoi për tërheqjen e Rusisë nga Lufta e Parë Botërore, në nëntor të vitit 1917),) dhe sidomos hyrja e SHBA-ve në Luftën e Parë Botërore, ndikuan për një të ardhme më të mirë të pavarësisë së Shqipërisë Londineze.[6] Në kuadër të këtyre zhvillimeve për përmirësimin e perspektivës së pavarësisë së Shqipërisë Londineze, kontribut të rëndësishëm dha edhe diaspora shqiptare, veçanërisht Shoqata Shqiptaro – Amerikane ‘Vatra’ . Në lidhje me këtë, historiania Nicola Guy, përveç të tjerash, shkruan se: “Roger Mac Ginty ka nënvizuar se në rastin e nacionalizmave të shteteve të vogla në Evropën Perëndimore, hyrja e Shteteve të Bashkuara në luftë dhe veprimet e bolshevikëve kanë pasur një ndikim të rëndësishëm. Këto ide mund të gjejnë zbatim në rastin e çështjes shqiptare. Hyrja e amerikanëve në luftë ndikoi së tepërmi mbi lulëzimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nismat më të rëndësishme lindën në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht brenda ‘Vatrës’ (Shoqata Shqiptaro-Amerikane). Fillimisht, gjatë luftës ‘Vatra’ kishte mbështetur Austrinë, por hyrja në luftë e Shteteve të Bashkuara në krah të Aleatëve bënte të domosdoshme një ndryshim në besnikërinë e saj. ‘Vatra’ përqafoi dhe mbështeti sidomos idealet dhe institucionet politike liberale amerikane, me besim në parimet e Wilsonit rreth vetëvendosjes. Anëtarët e saj mendonin se një qëndrim i tillë do të ishte mjaft dobiprurës për kauzën shqiptare për sa i përket rimarrjes së atyre territoreve (Kosovë, Çamëri, Hot, Grudë etj.) të mohuara atyre më 1913-n”.[7] Këto ndryshime në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare e përmirësuan perspektivën e pavarësisë së Shqipërisë Londineze. Në këtë vazhdë organizimi i Kongresit të Lushnjës, më 21-31 janar të vitit 1920 (ku u miratua akti kushtetues për pavarësinë e plotë të vendit etj.), dhe anëtarësimi në Lidhjen e Popujve më 17 dhjetor 1920, i forcuan themelet e Shqipërisë Londineze. Por pritjet e shqiptarëve, duke përfshirë “Vatrën” (Shoqatën Shqiptaro-Amerikane) në krye me Fan Nolin etj., për t’i kthyer territoret e banuara me shqiptarë (Kosovën me vise), në kuadër të kufijve të Shqipërisë Londineze (bazuar në parimet e Wilsonit për vetëvendosje), nuk u realizuan. Megjithëkëtë, duke e marrë parasysh situatën e vështirë politike të shqiptarëve që nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit (1878), realizimi dhe stabilizimi i gjysmës së shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) ishte një arritje e shqiptarëve. Gjithashtu, përpjekjet e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës me vise dhe bashkim kombëtar nuk u ndalën.

Gjatë periudhës në mes të dy luftërave botërore, Lëvizjet Kombëtare në shumë vende të botës u indoktrinuan ideologjikisht nga komunizmi, fashizmi, nazizmi etj. Ky indoktrinim ideologjik te shqiptarët u bë më i dukshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fashizmi dhe nazizmi (që ishin shfaqur si “ideologji” gjatë pjesës së parë të shekullit 19) patën konsekuenca të dhimbshme, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë vazhdë u keqpërdor edhe zbatimi i idesë komuniste. Ngjashëm sikurse prapavija e hershme e demokracisë, edhe prapavija ideore e komunizmit bazohet në idetë e hershme. Madje sipas filozofit franqez Didie Zhylia, idenë e një sistemi të tillë të jetës komunitare e gjejmë në ‘Republika’ e Platonit.[8] Për më tepër, këto dy prapavija i kanë karakterizuar edhe dy revolucionet e mëdha. Nga njëra anë revolucionin politik anglez (1688) me ideologun e vet më të spikatur John Locke dhe, nga ana tjetër, revolucionin socio-politik francez (1789) me ideologun e vet më të spikatur, Jean-Jacques Rousseau. Në këtë vazhdë idetë komunitare në disa shtete evropiane ku kishte traditë më të fortë demokratike, u kultivuan në kuadër të partive socialiste/ social-demokrate dhe arritën të bashkëjetojnë me partitë liberale, partitë konservatore etj., në kuadër të demokracive parlamentare, ndërsa në disa shtete të tjera, kryesisht në Evropën Lindore dhe më tutje, idetë komunitare përvetuan (veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore) në sisteme diktatoriale dhe autoritare. Me fjalë të tjera, siç u keqpërdorën (gjatë periudhave të caktuara historike), religjionet, nacionalizmi, demokracia etj., ngjashëm u keqpërdor edhe komunizmi. Në rastin e shqiptarëve indoktrinimi ideologjik në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore karakterizohet kryesisht nga dallimi në mes të katër rrymave politike: bashkëpunëtorët e nazifashistëve, ballistët, zogistët dhe komunistët. Megjithëkëtë, vlen të theksohet se ky dallim ka qenë më shumë strategjik sesa ideologjik. Në kuptimin se të gjitha këto rryma politike në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kishin synim parësor çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe kryesisht dallonin në kalkulimet e tyre strategjike për mundësinë e arritjes së këtij synimi. Në fillim të muajit gusht 1943 në fshatin Mukje në Shqipërinë Londineze, u arrit një marrëveshje e rëndësishme në mes të komunistëve dhe ballistëve shqiptarë që, përveç të tjerash, nënkuptonte bashkimin në një front të përbashkët kundër okupatorëve nazifashistë dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet, bazuar në parimin e Kartës së Atlantikut për vetëvendosjen e popujve. Kjo ishte një arritje e madhe por, fatkeqësisht, dështoi për shkak të shumë faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Përveç të tjerash, ballistët nuk u treguan të organizuar dhe të përkushtuar mjaftueshëm në luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Ndërsa komunistët shqiptarë në krye me Enver Hoxhën ishin të ekspozuar gjithnjë e më shumë ndaj presionit, ndikimit dhe deri në një masë kontrollit të partisë komuniste jugosllave. Mosarritja e bashkëpunimit në mes të komunistëve dhe ballistëve dhe rrymave të tjera politike të shqiptarëve (gjatë Luftës së Dytë Botërore), e politizoi, njëkohësisht e dobësoi fuqinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (si faktorë i brendshëm) për mundësinë e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Në këtë vazhdë shqiptarëve në Kosovë nuk iu lejua referendumi i bazuar në rezolutën e Bujanit dhe Kosova u riokupua formalisht nga Jugosllavia.

Dy udhëheqësit kryesorë komunistë në Shqipëri dhe Kosovë, Enver Hoxha dhe Fadil Hoxha, duke qenë nën presionin e partisë komuniste jugosllave, dhe rrethanave real-politike në përgjithësi, iu kundërvunë rezistencës antikomuniste të shqiptarëve. Ngjashëm sikurse më herët Ahmet Zogu (pas Luftës së Parë Botërore), i cili, duke qenë nën presionin e Qeverisë së Beogradit, dhe rrethanave real-politike në përgjithësi, së bashku me Ceno Beg Kryeziut etj., iu kundërvunë veprimtarisë së Lëvizjes Kaçake në Kosovë dhe rivalëve të tyre politikë: Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Bajram Currit etj. Megjithëkëtë, rezistenca e komunistëve shqiptarë kundër nazifashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore e ka pasur rëndësinë e vet, në kuptimin që të mos etiketohet e gjithë Lëvizja Kombëtare Shqiptare si bashkëpunëtore e nazifashistëve, siç ishte tendenca propagandistike e vendeve fqinje me qëllimin për ta justifikuar copëtimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare, sepse ekzistonte rreziku për copëtimin eventual edhe të Shqipërisë Londineze nga vendet fqinje. Shembull tipik është qasja e politikës shoviniste greke ndaj shqiptarëve në Çamëri (në vazhdën e shtypjes dhe pastrimit etnik ndaj tyre, prej vitit 1913) që kulmoi me gjenocid ndaj tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore (1943-1944), duke i akuzuar si “bashkëpunëtorë të nazifashistëve”. Sot e kësaj dite çështja çame rëndon në marrëdhëniet në mes të Shqipërisë dhe Greqisë. Për çështjen çame studiuesit James Pettifer dhe Miranda Vickers, përveç të tjerash, shkruajnë: “… ruajtja e trashëgimisë më të gjerë shoqërore dhe historike e Çamërisë ndërthuret me problemin politik dhe juridik të drejtësisë për pronarët e pasurive çame dhe kërkesat për kompensim nga familjet e prekura nga gjenocidi i Zervas në vitet 1943-44 dhe orvatjet e mëparshme të spastrimit etnik”.[9] Prandaj, mund të konstatohet se rezistenca e komunistëve shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë me vise (gjatë Luftës së Dytë Botërore), e ka shmangur mundësinë e copëtimit të mëtutjeshëm të Shqipërisë Londineze dhe të spastrimit të tërësishëm etnik të shqiptarëve në Kosovë me vise.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar arriti të forcoj institucionet shtetërore, duke përfshirë sistemin arsimor, standardizimin e gjuhës, shtypin e shkruar, radiotelevizionin etj. Veçanërisht, Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë etj. kanë pasur ndikim të rëndësishëm për masivizimin e ndjenjës kombëtare shqiptare. Në kuptimin e hulumtimit shkencor kulturor-historik (gjuhës, arkeologjisë etj.), dhe distribuimit të këtyre diturive shkencore nëpërmes sistemit arsimor, shtypit të shkruar etj., madje duke pasur ndikim (deri në një masë) edhe në hapësirën shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë.

Megjithëkëtë, instalimi gjithnjë më i fortë i sistemit diktatorial në Shqipëri, pati pasoja të dhimbshme, veçanërisht nëpërmes luftës së klasave (vrasjet, burgosjet, internimet etj.). Njëherësh politika e jashtme e shtetit shqiptar nuk reflektoi asnjëherë sa duhet, për ti dhënë orientim progresit ekonomik të Shqipërisë, ngase së paku mund të zhvillonte turizmin (duke e marr parasysh kapacitetin e bregdetit shqiptar) fillimisht duke ju dhënë qasje turistëve nga blloku i shteteve socialiste etj. Madje Enver Hoxha me metodat e tij të dhunshme doli edhe në ekstreme qesharake, duke e shpallur Shqipërinë shtet ateist, dhe krijoi vetëm efekte perverse – afatshkurtra. Për më tepër, nuk qëndron fare kur dikush përpiqet ta paraqes shpalljen e Shqipërisë shtet ateist në përputhje me frymën e rilindësve kombëtar shqiptar. Madje kjo nuk përputhet as me postulatin e Pashko Vasë Shkodranit: “Feja e Shqyptarit është Shqyptaria”, të shkruar në kuadër të poemës së tij të titulluar “O moj Shqypni e mjera Shqypni” (1880). Në esencë, ky postulat (që pati ndikim të madh), ishte thirrje për unitetin kombëtar dhe harmoninë ndërfetare të shqiptarëve, dhe jo kundër feve si vlerë në vete. Me fjalë të tjera, Pashko Vasë Shkodrani, nëpërmes kësaj poeme kritikon ca priftërinj dhe hoxhallarë të cilët duke fokusuar më shumë në fe se sa në komb (në një kontekst historik kur çështja kombëtare ishte në një rrezik ekzistencial) ndikonin për asimilimin e mëtejshëm të shqiptarëve në kombet e tjera. Madje autori i poemës nuk i bën aspak thirrje ateizmit (siç e interpretojnë disa), sepse ai i referohet Zotit me respekt, siç shihet qartë në fundin / konkludimin e poemës së tij: “Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë, kush mos na e preki, se desim t’tanë, të desim si burrat që vdiqnë motit, edhe mos marrohna përpara Zotit”.[10] Në fakt as mbreti Zog paraprakisht, dhe sidomos Enver Hoxha (edhe pse arritën t’i zhdukin më pak ose më shumë tribalizmat dhe disa prapambeturi të tjera në dobi të integrimit brendakombëtar shqiptar), nuk e patën vizionin e duhur që ta institucionalizojnë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare shqiptare për ta kultivuar paralelisht me procesin e integrimit brendakombëtar shqiptar. Toleranca dhe harmonia ndërfetare shqiptare është pasuri unike e kombit shqiptar (e trashëguar nga rilindësit kombëtar shqiptar) dhe e dallon kombin shqiptar nga kombet e tjera konservative të Ballkanit që e kanë fenë kriter inkludues dhe ekskludues kombëtar. Njëherësh, mosinstitucionalizimi i tolerancës dhe harmonisë ndërfetare shqiptare ka ndikuar që kombi shqiptar të mbetet i brishtë në aspektin fetar. Prandaj vetëm një Këshill Kombëtar Ndërfetar Gjithëshqiptar si institucion do të mund të sigurojë dhe kultivojë në plan afatgjatë tolerancën dhe harmoninë ndërfetare brendakombëtare të shqiptarëve, t’i mbrojë vlerat e mirëfillta fetare dhe, duke u distancuar publikisht nga çdo lloj ekstremizmi fetar, do të mund t’i dobësojë/delegjitimojë bazat e ekstremizmit fetar në praktikë. Është për keqardhje që edhe në ditët e sotme, ende nuk ka interesim për themelimin e Këshillit Kombëtar Ndërfetar Gjithshqiptar, dhe po vazhdohet me politizimin fetar në Kosovë dhe në Shqipëri, për shkak të kalkulimeve të partive politike për marrjen e votave gjatë zgjedhjeve etj.

II

Politizimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore i ka pasur pasojat e veta edhe në emigracion sepse deri në vitet ’70 elita e emigracionit politik shqiptar ka qenë kryesisht e shqetësuar me ndonjë përjashtim (Hysen Tërpeza, Tahir Kerrnaja, Sami Repishti, Ihsan Toptani etj.), vetëm me veprimtarinë kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe jo me ndonjë veprimtari konkrete për çlirimin e Kosovës me vise. Pas demonstratave të vitit 1981 regjimi i Beogradit i vuri në shënjestër edhe veprimtarët e grupeve klandestine, në kuadër të emigracionit politik shqiptar, të cilët organizonin demonstrata dhe protesta në disa qendra të shteteve perëndimore, me qëllim të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar për shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavi dhe për kërkesën “Kosova Republikë”, si kërkesë për barazi të shqiptarëve me popujt e tjerë në kuadër të Federatës Jugosllave. Kjo konsiderohej një kërcënim për imazhin e Jugosllavisë e veçanërisht të Serbisë në lidhje me çështjen e Kosovës ngaqë regjimi i Beogradit bënte përpjekje të vazhdueshme të paraqiste dhe ta ruante imazhin e rrejshëm të Jugosllavisë në kuadër të arenës ndërkombëtare. Përveç të tjerash, Jugosllavia, edhe pse ishte nënshkruese e Deklaratës së Helsinkit (1975), ku në mesin 10 parimeve të kësaj deklarate përfshihej edhe parimi për respektimin e të drejtave të njeriut, nuk e respektonte fare në praktikë këtë parim. Prandaj nismat e veprimtarëve shqiptarë në diasporë për prishjen e imazhit të rrejshëm të Jugosllavisë ndikuan që shërbimi i sigurisë shtetërore jugosllave (UDB), të përpiqet të përçajë, të frikësojë dhe ta dobësojë sa më shumë veprimtarinë e emigracionit politik shqiptar, madje edhe nëpërmes organizimit të atentateve.

Me fjalë të tjera, veprimtaria revolucionare e grupeve klandestine për çlirimin e shqiptarëve në Jugosllavi (pas Luftës së Dytë Botërore), si brenda vendit (në trojet e banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi), ashtu edhe jashtë vendit që nga vitet ’70 (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), për shkak të rrethanave të vështira për veprim, ka pasur vështirësi të përbashkohet formalisht në një organizatë me strukturë të qëndrueshme politike. Në këtë vazhdë, ndikimin vendimtar për unifikimin e një pjese domethënëse të grupeve revolucionare në kuadër të një organizate me strukturë të qëndrueshme politike, e ka pasur Jusuf Gërvalla me bashkëpunëtoret e tij. Shërbimi sekret shtetëror jugosllav (UDB) u përpoq ta pengoj këtë unifikim, madje edhe me organizimin e atentatit më 17 janar 1982, ndaj vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës. Megjithëkëtë, UDB nuk mundi ta ndalë këtë unifikim, madje efekti i ngjarjes së 17 janarit 1982, i unifikoi gjithnjë e më shumë grupet revolucionare klandestine të shqiptarëve në Jugosllavi, në kuadër të një organizate me strukturë të qëndrueshme politike, e njohur nga viti 1982 si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRShJ), nga viti 1985 e njohur si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), dhe nga viti 1993 e njohur si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).

Vlen të theksohet se pjesëtarët e LPK-së zgjodhën një rrugë më të vështirë për çlirimin e Kosovës, dhe si idealistë që ishin, në vazhdën e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës dhe bashkim kombëtar, ishin njëkohësisht lojalë ndaj vendit amë (Shqipërisë Londineze) sepse, pa ndihmën, në radhë të parë të Shqipërisë Londineze (pavarësisht prej sistemit politik), ishte i paparamendueshëm çlirimi dhe realizimi i Republikës së Kosovës drejt bashkimit kombëtar dhe, për këtë, koha ju dha goxha të drejtë. Gjithashtu, pati rëndësi që pushteti në Shqipërinë Londineze vendosi t’i përkrahë publikisht kërkesat e demonstruesve shqiptarë në Kosovë në vitin 1981, edhe pse në kuadër të kësaj përkrahjeje përpiqej ta kontrollonte veprimtarinë revolucionare të grupeve klandestine të shqiptarëve në Jugosllavi, me “përgjegjësinë e kalkulimit real-politik” që kishte si pushtet/shtet amë. Pra LPK, në fillet e veprimtarisë së vet nuk kishte alternative tjetër, dhe në këtë kuptim enverizmin e kishte më shumë mjet politik sesa ideologji (përveç ndonjë shembulli/shembujve të izoluar). Këtë e vërteton edhe fakti se pas shembjes së murit të Berlinit LPK-ja jo vetëm se u distancua nga enverizmi, por e hoqi/shfuqizoi edhe pararojën – marksiste leniniste si organ udhëheqës i LPK-së, ndërsa përpjekjet për çlirimin e Kosovës i vazhdoi dhe njëkohësisht edhe lojalitetin ndaj vendit amë Shqipërisë (pavarësisht ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri). Madje ka pasur zëra edhe më herët, në kuadër të LPK-së (para shembjes së murit të Berlinit), për heqjen/shfuqizimin e pararojës marksiste leniniste. Në këtë kuadër ndikim të veçantë ka pasur mendimi kritik i Adem Demaçit ndaj Enver Hoxhës pas daljes së tij nga burgu, përkatësisht pas vizitës së parë që i bëri Shqipërisë. Për më tepër, një dëshmi e rëndësishme se LPK-ja në vazhdimësi kishte si qëllim parësor çështjen kombëtare mbi çdo ideologji, e ilustron një intervistë e një ndër themeluesve kryesorë të LPK-së, Jusuf Gërvallës, e realizuar para demonstratave të vitit 1981, përkatësisht në vitin 1980, dhe e publikuar më 20 janar 1982 në gazetën gjermane “Tagische Zeitung”, ku përveç të tjerash, Jusuf Gërvalla e potencon këtë lloj lojaliteti ndaj vendit amë, Shqipërisë: “…pavarësisht nga çfarëdo lloj sistemi politik që mbretëron në Shqipëri, radikal komunist, radikal demokratik ose një sistem i së drejtës”.[11]

Me fjalë të tjera, pas themelimit të LPK-së në vitin 1982, u fuqizua veprimtaria e emigracionit politik shqiptar, sidomos pas organizimit të mbledhjes së Parë dhe të Dytë të Përgjithshme të LPK-së. Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPK-së, është mbajtur në korrik 1987 në Zvicër, nën organizimin e Degës së LPK-së jashtë vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e Degës së LPK-së brenda vendit. Kjo mbledhje kontribuoi, përveç të tjerash, për riorganizimin e LPK-së në kuptimin e zgjerimit të radhëve si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, ku pothuajse në të gjitha shtetet e Evropës perëndimore u themeluan degët e LPK- së (këshillat popullorë të LPK-së). Edhe në ShBA Klubi Kombëtar “Jusuf Gërvalla” me seli në Nju-Jork funksionoi për një kohë si degë e LPK-së, me nëndegët në Detroit, Chicago, Dallas etj. Gjithashtu Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e LPK-së u mbajt në tetor 1989 në Zvicër, nën organizimin e Degës së LPK-së, jashtë vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e Degës së LPK-së brenda vendit.

Konkretisht, Dega e LPK-së jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar), e ka ndihmuar në vazhdimësi organizimin dhe riorganizimin (pas goditjeve) të Degës së LPK-së brenda vendit dhe e ka pasur një rol të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës sepse në vazhdimësi organizoi demonstrata dhe protesta në qendrat e shteteve perëndimore, duke apeluar për ndaljen e shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve në Jugosllavi, dhe duke insistuar për kërkesën “Kosova Republikë” (si një kërkesë e drejtë për barazinë në mes të popujve në kuadër të federatës jugosllave). Në këtë drejtim, një kontribut të veçantë e kanë dhënë edhe disa struktura lobiste dhe të diplomacisë joformale të ish- emigracionit politik shqiptar, të themeluara para dhe pas shembjes së murit të Berlinit: Organizata Rinia Shqiptare-Kosovare në Botën e Lirë në Nju-Jork (1970), Komiteti i Kosovës për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Belgjikë (1983). Komiteti i Kosovës për Informimin e Opinionit Botëror në Zvicër (1985), që rezultoi nga strukturat e LPK-së. Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit (1988) që lobonte për çështjen e Kosovës në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe bashkëpunonte drejtpërdrejt me LPK-në. Shoqata Migjeni në Slloveni (1989). Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1989). Komiteti i Kosovës në Paris (1992), Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996), duke e përfshirë kontributin e vazhdueshëm të shoqatës shqiptaro-amerikane “Vatra” etj. Kjo veprimtari lobiste dhe e diplomacisë joformale, përveç të tjerash, shënon edhe arritjen e lidhjeve para-diplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore. Madje menjëherë pas shembjes së murrit të Berlinit (dhe themelimit të partive politike në Kosovë), emigracioni politik shqiptar arriti ti organizoi dy vizitat e para dhe historike të delegacioneve të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në shtetet perëndimore. Përkatësisht, Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, (që lobonte për çështjen e Kosovës në kuadër të Federatës së Helsinkit), veçanërisht me ndihmën e mikes së madhe të shqiptarëve, Berit Backer, e organizoi vizitën e parë të delegacionit të Kosovës në perëndim në krye me Ibrahim Rugovën, respektivisht në Oslo dhe me nisje nga Oslo në muajin shkurt 1990.[12] Ndërsa Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, veçanërisht me ndihmën e kongresmenit shqiptaro-amerikan Joseph Dioguardi, e organizoj vizitën e parë të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Washington, në muajin prill 1990.[13] Pas këtyre dy vizitave të para dhe historike në shtetet perëndimore, të delegacioneve të Kosovës në krye me udhëheqësin e Lëvizjes Paqësore të Kosovës Ibrahim Rugovën, u shtuan/forcuan lidhjet diplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore dhe kjo ndikoi në ngritjen edhe më të madhe të popullaritetit të Ibrahim Rugovës në Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Të njëjtin vit (korrik 1990), Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, veçanërisht me ndihmën e mikes së madhe të shqiptarëve, Berit Backer, e organizoi edhe programin e vizitës në shtetet perëndimore për delegacionin e kuvendit të Kosovës, menjëherë pas shpalljes së deklaratës kushtetuese të 2 korrikut 1990.[14]

Në këtë vazhdë, veprimtaria e emigracionit politik shqiptar u fuqizua edhe më shumë, ngase më 19 tetor 1991, u themelua Qeveria e Kosovës në Egzil, e cila fillimisht u vendos në Lubjanë të Sllovenisë dhe më pastaj nga viti 1992 në Bon të Gjermanisë, dhe përveç të tjerash, u angazhua për mbledhjen e mjeteve financiare nga mërgimtarët shqiptar për të financuar mekanizmat e rezistencës paqësore në Kosovë kundër regjimit të Millosheviqit. Kjo Qeveri në Egzil e kishte edhe Ministrinë e Informacionit me seli në Gjenevë/Zvicër, që u udhëhoq nga njëri nga ish-bashkëdrejtuesit e LPK-së/LRShj-së në emigracion në fillimvitet 80`. Deri në këtë periudhë kohore ishin themeluar edhe degët e LDK-së në shtetet perëndimore dhe koordinoheshin nga një Zyrë qendrore e LDK-së në Shtutgard të Gjermanisë, e cila udhëhiqej nga një veprimtar i cili paraprakisht në fillimvitet 80`, ka qenë edhe një ndër veprimtarët e njohur të LPK-së/LRShJ-së në emigracion. Në fakt kjo Zyrë e ka luajtur edhe rolin e Zyrës ndërlidhëse të Kosovës, dhe në të shumtën e rasteve i ka koordinuar takimet e Ibrahim Rugovës, gjatë vizitave të tij në shtetet perëndimore evropiane.

Fatkeqësisht, shtetarët perëndimorë që nga fillimi i konfliktit të armatosur në Jugosllavi (në fillimvitet ’90) u treguan të ç’koordinuar për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe efektivë për ta ndaluar/ndëshkuar dhunën e regjimit neofashist të Millosheviqit në Kosovë. Në këtë vazhdë, çështja e Kosovës nuk u përfshi për zgjidhje as në kuadër të Konferencës së Dejtonit (1995).

Me fjalë të tjera, shtetet perëndimore, edhe pse kishin keqardhje më shumë dhe më pak për situatën e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, nuk ishin në gjendje ta shpërblejnë politikën paqësore të Kosovës që sakrifikonte me vite në kurriz të shqiptarëve për zgjidhje politike paqësore dhe për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Megjithëkëtë, politika e Lëvizjes Paqësore (para Konferencës së Dejtonit) si faktor i brendshëm dhe gjenocidi në Bosnjë si faktor i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimore), e patën ndikimin e vet, që t’i japin legjitimitet ndërkombëtar luftës së mëvonshme të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare kishin provuar me vite ta zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Millosheviqi dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë. Veçanërisht duke e marrë parasysh edhe faktorin gjeopolitik ngaqë një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës përtej kufijve të Jugosllavisë.

Në ndërkohë, gjatë fillimviteve 90`, LPK organizoi edhe dy Mbledhje të Përgjithshme, përkatësisht Mbledhjen e Tretë dhe të Katërt të Përgjithshme, që u mbajtën në Kosovë në vitin 1991 dhe 1993, nën organizimin e Degës së LPK-së brenda vendit (ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e Degës së LPK-së jashtë vendit). Në këtë vazhdë, meqë menjëherë pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme (1993), shërbimi sekret serb në kuadër të arrestimeve kishte arritur t`i arrestojë edhe udhëheqësit kryesorë të LPK-së, (të Degës së LPK-së brenda vendit) u bartën kompetencat e përgjithshme të organizatës tek Dega e LPK-së jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar). Në këto dy mbledhje të përgjithshme të mbajtura në Kosovë u morën vendimet e rëndësishme drejt kryengritjes së armatosur si mjet i fundit për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Njëherësh një pjesë e veprimtarëve tashmë vepronin në kuadër të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë që, në fakt, edhe para Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së, kishin filluar gradualisht të shndërroheshin: nga të qenit pjesëtarë dhe udhëheqës të Këshillave Popullorë të LPK-së në Kosovë (degëve të LPK-së në Kosovë) në pjesëtarë dhe udhëheqës të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë, që në fakt ishin edhe krahu ushtarak i LPK-së, dhe me ngulmim kërkonin nga organizata (LPK) që të krijohet një strukturë ushtarake. Madje LPK, kishte krijuar traditë/përvojë të shembujve të rezistencës së armatosur që nga viti 1984, siç është shembulli i Rexhep Males, Nuhi Berishes etj. Rrjedhimisht, emigracioni politik shqiptar, konkretisht kryesia e LPK-së, (bazuar edhe në vendimet e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së) vendosi më 17.11.1994 që grupet klandestine të armatosura në Kosovë të emërohen Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Ky vendim i emërtimit (themelimit formal të UÇK-së) ishte i një rëndësie të veçantë ngase në këtë vazhdë u arrit të unifikohen të gjitha grupet klandestine të armatosura në Kosovë në kuadër të UÇK-së, rrjedhimisht edhe ato grupe klandestine të armatosura që nuk ishin paraprakisht pjesë e LPK-së, në këtë vazhdë u unifikuan në kuadër të UÇK-së, siç është shembulli i Grupit të Llapit në krye me Zahir Pajazitin etj. Ky emërtim (themelim formal i UÇK-së) korrespondoj edhe me periudhën e sinjalizimit të qartë për mospërfshirjen e çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të Konferencës së Dejtonit.

Pas Konferencës së Dejtonit (1995), u shtua rezistenca e armatosur e UÇK-së, dhe kulmoi në mars të vitit 1998 me sakrificën e prijësit emblematik ushtarak të UÇK-së Adem Jasharit dhe 58 anëtarëve të familjes së tij (ku u masakruan 59 persona nga ana e regjimit neofashist të Millosheviqit). Menjëherë pas kësaj ngjarje, emigracioni politik shqiptar, fillimisht LPK (duke e marrë parasysh domosdoshmërinë për mobilizimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të UÇK-së), organizoi shkuarjen në Kosovë të një pjese të veprimtarëve dhe përkrahësve me përvojë. Pjesa tjetër e mbetur e veprimtarëve dhe përkrahësve me përvojë të LPK-së, u bë mbështetja kryesore politike, diplomatike, financiare e logjistike për UÇK-në nga jashtë territorit të luftimeve. Kjo e pati rëndësinë e veçantë për vazhdimësinë dhe inkurajimin e rezistencës së UÇK-së, ngase kishte tendenca nga qarqe ndërkombëtare etj., që edhe sakrifica sublime e familjes Jashari të interpretohet me konotacion dekurajues në kuptimin se shqiptarët e Kosovës edhe poqesë sakrifikohen bashkë me fëmijët e tyre, nuk do të mund të rezistojnë dhe fitojnë kundër regjimit të Millosheviqit. Në fakt edhe pas krimit monstruoz të regjimit të Millosheviqit në sulmin ndaj familjes Jashari, institucionet politike ndërkombëtare ende vazhdonin të kenë një qasje refuzuese dhe paragjykuese ndaj UÇK-së. Por konsolidimi i Grupit Diplomatik të UÇK-së (në kuadër të emigracionit politik shqiptar) që përbëhej kryesisht nga veprimtarë të mirëshkolluar në universitete prestigjioze perëndimore dhe që përfaqësonin UÇK-në në pothuajse të gjitha shtetet perëndimore e pati një rol vendimtar për sukseset e para diplomatike të UÇK-së. Në këtë mënyrë, UÇK arriti të shënoj një etapë të re në vazhdën e (dhe si kulminacion) i kryengritjeve të armatosura dhe përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës prej vitit 1912. Sepse, tanimë UÇK duke qenë e inkurajuar nga altruizmi patriotik, heroizmi dhe sakrifica sublime e familjes Jashari, përveçse arrinte të bënte një përballje titanike ushtarake, edhe pse ishte tërësisht asimetrike në raport me forcat e armatosura të regjimit të Milosheviqit (sikurse Davidi kundër Goliatit), gjithashtu për të parën herë përfaqësimi politiko-diplomatik i një kryengritje të armatosur të shqiptarëve të Kosovës (UÇK-së) arrinte suksese të njëpasnjëshme diplomatike. Ky sukses diplomatik u arrit kryesisht si rezultat i veprimtarisë së Grupit Diplomatik të UÇK-së, nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së, para se gjithash me ambasadorët amerikanë Robert Gelbard dhe Richard Holbrooke, Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Schüssel (gjatë kësaj periudhe Austria ishte udhëheqëse e radhës së BE-së), Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Knut Vollebæk i cili gjatë luftës në Kosovë ishte udhëheqës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe me shumë personalitete të tjera me ndikim politiko – diplomatik në shtetet perëndimore, përfshirë interesimin e madh të gazetarëve të huaj që i mundësuan Grupit Diplomatik të UÇK-së, mbajtjen e konferencave dhe paraqitjen në debatet televizive dhe në mediat e shkruara në shtetet perëndimore. Si rezultat i kësaj veprimtarie intensive politike, diplomatike dhe mediatike të Grupit Diplomatik të UÇK-së, u arrit të ndryshohet qasja refuzuese dhe paragjykuese që ishte krijuar për UÇK-në, në kuadër të institucioneve politike ndërkombëtare, dhe se në këtë kontekst më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi Rezolutën 1199, ku u hoq cilësimi i UÇK-së si organizatë terroriste dhe ky fakt shënoi një ndryshim cilësor lidhur me qëndrimin ndaj UÇK- së, krahasuar me Rezolutën 1160 të datës 31 mars 1998. Kjo ishte me rëndësi sepse propaganda e regjimit serb përpiqej, përveç të tjerash, ta paraqesë UÇK-në në arenën ndërkombëtare si një organizatë terroriste dhe si organizatë fundamentaliste fetare. Në fakt, kjo ishte e një rëndësie të veçantë, sepse shqiptarët e Kosovës prej vitit 1912, në disa raste kishin korrur suksese gjatë betejave ushtarake, por tani si UÇK për të parën herë korrnin suksese gjatë betejave të njëpasnjëshme diplomatike, duke i përforcuar dhe siguruar binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare. Në këtë vazhdë, me përshkallëzimin e luftës dhe krizës humanitare në Kosovë, UÇK-ja u mbështet edhe më shumë nga emigracioni politik shqiptar (pa marrë parasysh subjektet politike shqiptare në kuadër të emigracionit politik shqiptar). Madje mobilizimi në kuadër të UÇK-së përfshiu edhe mobilizimin ushtarak nga vendet e largëta (ShBA-ja etj.) siç është shembulli i Batalionit Atlantiku etj. Në fakt e gjithë kjo veprimtari ishte edhe kulminacion i përpjekjeve të vazhdueshme dhe të përgjithshme të ish-emigracionit politik shqiptar drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës.

Rrjedhimisht, sikurse nismat në diasporën shqiptare në fillimshekullin XVIII (nga Naum Veqilharqi etj.), drejt unifikimit të shqiptarëve në një komb, përfshirë kontributin e vazhdueshëm të përgjithshëm dhe pothuajse vendimtar të diasporës shqiptare drejt shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 (e cila shpallje e përfshiu edhe Kosovën). Ngjashëm emigracioni politik shqiptar, sidomos pas ngjarjes së 17 janarit 1982, arriti ta unifikoj veprimtarinë drejt një qëllimi të përbashkët, përfshirë kontributin e vazhdueshëm të përgjithshëm dhe pothuajse vendimtar të emigracionit politik shqiptar drejt këtij qëllimi të përbashkët për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Referencat :

[1] Historia Popullit Shqiptar II (2002): Rilindja Kombëtare, vitet ’30 të shek. XIX-1912. Botimet Toena, f. 98-102, 121-131

[2] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA, f. 227-228

[3] Svein Mønnesland (2006): Før Jugoslavia og etter. Oslo: Syspress Forlag, f. 144-145

[4] Miroslav Hroch (2000): Social Preconditions of National Revival in Europe. New York: Columbia University Press, f. xv

[5] Raportimi i Edward Greyt në parlamentin britanik më 12 gusht 1913: https://api.parliament.uk/historic-hansard/commons/1913/aug/12/war-inbalkans-statement-by-

sir-edward

[6]Nicola Guy (2012): Lindja e Shqipërisë: Nacionalizmi etnik, Fuqitë e Mëdha të Luftës së Parë Botërore dhe Lindja e Pavarësisë Shqiptare. Botime Pegi, f. 163, 174-175

[7] Po aty: 176

[8] Didie Zhylia (1994): Fjalor i Filozofisë. Tiranë: Shtëpia Botuese Enciklopedike, f. 205

[9] James Pettifer & Miranda Vickers: The challenge to preserve the cham heritage 2005, f. 236 https://www.professorjamespettifer.com/uploads/files/pdf/The%20challenge%20to%20preserve%20the%20cham%20heritage.pdf

[10] Kultplus (1.prill 2020): Peozi e shkruar nga Pashko Vasa;“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush te ka qitë me krye n’hi”: https://www.kultplus.com/poezi/o-moj-shqypni-e-mjera-shqypni-kush-te-ka-qite-me-krye-nhi/

[11] Intervistë e Jusuf Gërvallës botuar në gazetën gjermane “Tagische Zeitung”: https://m.gazetaexpress.com/arkiva/interviste-e-jusuf-gervalles-botuarne-gazeten-gjermane-tages-zeitung-131866/?arch_tb=temphttps://rajonipress.com/interviste-e-jusuf-gervalles-botuar-ne-gazeten-gjermane-tagische-zeitung/

[12] Në 80-vjetorin e lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova: https://www.epokaere.com/ne-80-vjetorin-e-lindjes-se-presidentit-historik-ibrahim-rugova/

[13] The albanian american civic league: “changing histori for twenty five years”: https://www.aacl.com/our-25-year-history

[14] Organizimi i vizitës së parë në Perëndim i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në korrik 1990: https://www.epokaere.com/organizimi-i-vizites-se-pare-ne-perendim-i-delegacionit-te-kuvendit-te-kosoves-ne-korrik

Comment

*