– Pjesë të parathënies nga Visar Zhiti –
Një libër – një paradoks i zmadhur nga shkrimtari Luan Laze, që priti sa priti dhe na u vërsul për të na treguar se ku kemi arritur, marramendshëm sa lart edhe ku, në një vend të vogël, të shtrydhur midis dy kulturave të mëdha botërore, të artit, filozofisë dhe demokracisë së drejpërdrejtë të antikitetit Grek dhe artit prapë, institucioneve të demokracisë prapë dhe drejtësisë të perandorisë Romake. Për paradoks, të dy këto kultura në epokat e lavdive së tyre, që vunë në qendër Njeriut dhe Rilindjen e tij, ishin shoqëri me skllevër.
Prej tyre njerëzimi ka trashëguar vepra të pavdekshme arti si dhe arenat e amfiteatrove dhe të koloseumeve, ku përlesheshin skllevërit me shpata në duele të përgjakura, vriteshin me njëri tjetrin nën brohërimat e spektatorëve shkallëve të mermerta, pra të popullit tjetër. Një tillë e kemi zbuluar dhe ne mu në qendër të qytetit të Durrësit. Kulmi arrihej, kur në arenë futeshin nga bodrumet nën tokë kafshët e egra, të uritura, luanët, që shqyenin me dhëmbë dhe kthetra mishin njerëzor.
Luan Laze. Sipas asaj që ai e thotë dhe vetë në një aforizëm për emrin e tij: më vendosën këtë emër se e dinin që do të jetoja në një shoqëri kafshësh, duket vërtet si një luan në arena e reja, në qytete, rrugëve të tij, në shtëpi e zyra, në punë e klube, në biseda me të tjerët, me veten, në ëndrra e delire, ecën i shkujdesur, duke parë të tjerët shkallëve, në stadiume, teatër, partira, parlament, shkallëve të avionit, shkallëve të pallateve pa leje… ashensore karrierash… ballkone ballë për ballë, etj, etj.
Luani sheh që kthetrat nuk janë më, por janë bërë ironi e tij, dhëmbët janë zemërimi, qortimet, tund bishtin hokatar, realiteti i ngjan një cirku, gazmor në dukje, ja dhe teli i ekuilibrit të rrezikshëm, të hungërish paqësisht duke i ngazëllyer spektatorët… Sot si dikur. Dikur si sot…
Në fakt ky është libri, ky libër…
PO E SHFLETOJMË…
Po! Po ç’ishte ky zell për të treguar me pakëz fjali ose dhe me një të vetme, por ama me 5000 të tilla, realitetin përreth, njerëzit që njohim dhe nuk njohim, adhurim apo kritikë apo frikë shpotitëse nga jeta, nga alienimi i shoqërisë njerëzore, mbase kështu do të thoshte studiuesi gjakftohtë, futje në vorbullat e ngjarjeve të aktualitetit, do të vazhdonte ai, ndoshta dhe mundësi për të qeshur me veten, do të shtoja, në kohën kur qeshet aq shumë me të tjerët, një vetvete tjetër? Apo të gjitha bashkë nga pak a asnjëra aq shumë?…
Shkencat sot kanë arritur zhvillime të paimagjinueshme, por jo nga ata që zbulojnë dhe shpikin, kur Inteligjenca Artificiale, AI siç quhet, pra “ai” në shqip, ai tjetri, që po na kërcënon me mençuri të hatashme, se nuk duket e largët dita që do të mund të sundohemi jo më nga vetvetja, por nga vetvetja e shpërngulur te makinat, në robotë, me mendjen të zbrazur në një elektroteknologji të skajshme, në kompjutera gjithfarëlloj, në univers pranë, por dhe larg, të futur nën lëkurën e njeriut, sepse mençuaria jonë ishte kaq shumë injorante, sa… s’e di, etj, etj.
Luan Laze, edhe pse e kishte nisur ndryshe, si me një shaka të padëmshme, sikur donte të kalonte kohën, tani është në përballje, në vorbull, përkundruall kohës, qendrestar, pa e marrë përsipër si mison, kështu duket paradoksalisht…
Në epoka mashtrimesh dhe parodish tragjike, kur ngjyrat e ditës bëhen simbole të egra të politikës, ndër gjërat serioze mbeten ndoshta frika dhe humori. Si pjesë e qendresës intelektuale. Shkrimtari Luan Laze është ndër emrat e paktë, që me krijimtarinë e vet ndjek hap pas hapi ditën, shqetësimet e saj, paradoksin, krizën e vlerave shoqërore, që për fat të keq në alkiminë e shkrimtarit bëhen vlera letrare. Ndërkohë humori, shpesh here i zi, mbush faqet e bardha të shkrimeve të Luan lazes. Sarkazma është lufta paqësore që shkrimtari i bën së keqes.
MES ARTIFICIALËVE INTELIGJENTË…
AI – Inteligjenca Artificiale në fund të fundit është inteligjenca e perceptimit, e sintetizimit dhe e nxjerrjes së informacionit, e demonstruar nga makinat, (kompjuter, robot…), në ndryshim me inteligjencën e shfaqur nga njerëzit ose kafshët e tjera.
Po algoritmet e shkrimtarit?
Inteligjenca Artificiale ka sukses të jashtzakonshëm në industri e banka… në numërimin e votave, kalimin e tyre nga duhet, jo nga zgjedh… po fshesat inteligjente? Kryevepra…
Po a do të bëjnë makinat dhe aforizma, paradokse? Edhe humor, edhe ironi? A do të zëmërohen me ne?
Dhe kjo na duhet! Është e frikshme…
Më e frikshme se artificialët e inteligjencës? Se unë për këta e kisha fjalën… Ja disa sentence:
“Lajmi se një idiot ka korrur sukses, është inkurajues./Provoni një herë lirinë e mendjes, pastaj kërkoni atë të fjalës./Kur mbushet kupa e mëkateve, je i falur. Vazhdo me të dytën./Nëse politika është për faqe të zezë, imagjinoni si janë votuesit e saj.’
Autori ndoshta doshta duhej të argëtohej me budallallëkun… duke gdhënur veten. Gjithë ai realitet gdhë, absurd dhe i egër dhe sa i vogël…
Që donte të ndërtonte komunizmin me ushtën e Don Kishotit dhe me legenin e tij si mburojë, që bëri burgjet para universiteteve, se robëria ishte më e dobishme se liria, urrejtja më ushqyese shpirtërisht se dashuria, po shpirt nuk ka, thoshin, ka vetëm materie, telat me gjëmba duhen më shumë se telat e kitarave, bunkerët më shumë se apartamentet, idioti është më besnik i Partisë se intelektuali, Realizmi Socialist është metoda më e mirë artistike në botë, etj, dhe kur u shemb Muri i Berlinit dhe gjithë perandoria komuniste ra e vendi ynë u detyrua të ndryshojë dhe ata që ishin në krye apo pjesë e diktaturës, frymëzim i saj, dolën prapë në krye që të ndërtonin ashtu si diktaturën dhe demokracinë, armiqtë e pronës private, të kapitalit u bënë kapitalistë, përvetësuan alamet pronash dhe, pasi u dhanë ish të burgosurve politikë shpërblimin-e-dëmshëm, një dorë oficerash të ushtrisë së diktaturës i bënë presidentë të demokracisë, komandantët e burgjeve nisën të akuzojnë të burgosurit e tyre dhe këtë e bënin të lidhur drejtpërsëdrejti me studiot televizive nga azili politik nëpër Europë e Amerikë si të përndjekur tashmë…
Të gjithë vrasësit bëjnë gjumë të qetë. Edhe vrasësit e shpresës,
thotë Luani në njërën nga 5.000 aforizmat. Dhe vrasësit e shpresës janë po aq kriminalë…
5000 thëniet e Luan Lazes vijnë që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe të dyfishuara, trefishuara sulen si luzmë bletësh me zukama dhe në gjysmës se parë të shekullit XXI. Me mjaltin dhe thumbin.
Përvoja e letrave shqipe në këtë lëmí është e pakët, do të thosha, jo se nuk kanë dalë libra me fjalë të urta dhe sentenca, më shumë nga bota. […]
Ndërsa në Shqipërinë Socialiste, kujtoj kur isha fëmijë, doli një libër i kuq me format xhepi, me kapak plastikë, me citate të Mao Ce Dunit, që dyndeshin për ta blerë, sidomos kooperativisët e fshatrave, se kapakët i hiqeshin dhe përdoreshin si kuletë a portofol…
Ka dhe të tjera… ndërkaq kanalet televizive natë e ditë transmetojnë humor, jo vetëm të emisioneve kësisoj si “Fiks fare” apo “Portokalli” e “Al Pazar”, të specializuara tashmë, por dhe humor institucional, parlamentar dhe partish, dhe të policive, të shitoreve, të shkollave, të çmendinave, të mitingjeve, agjensive, me një “Big Brother” presidencial mbi të gjitha, etj, etj, që:
Sa më shumë prekim të ardhmen, aq më nostalgji për të kaluarën…
sipas një paradoksi këtu, duke bërë që të ndjehemi në një të ardhme që iku pa ardhur dhe të përplasimi me të shkuarën që na pret, por qëllimi im ishte tjetër, të paraqisja, madje thjesht të thosha që miku im, Luan Laze, mblodhi aforizmat dhe paradokset që ka shkruar gjatë jetës, kaotikisht siç janë realitetet tona, duke i grupuar dhe ndarë në 7 krerë, pa ndonjë kronologji, mbase sipas afërisë tematike a ndonjë rendi tjetër të papërcaktuar, le të themi p.sh., kreu I: arrivizmi, II: plogështia shpirtërore, III: konvertimet demokratike, IV: kotësia si pikësynim, V: dashuria si atavizëm a ndoshta ndryshe ose fare, VI e VII: personazhi më simpatik është idioti, jo, shejtan budallai, që ka frikë të ngjajë i zgjuar, se mosdija tashmë është dije, humori – mençuri, jo, dinakëri e përditësuar, dhe na dha këtë libër për të na argëtuar, nga që absurdi është i përzierë me jetën e copëzuar a me copëzat e një jete, jo më pak se 5000, për të mos thënë të një kohe të dërrmuar… me duart tona.