PARAFESTË

Marsi që vjen, më 2025, shënon 80 vjetorin e hapjes së Shkollës së Mesme Ushtarake SKËNDERBEJ

VERI TALUSHLLARI
Ish skënderbegas, 1971-’75

Marsi që vjen, më 2025, shënon 80 vjetorin e hapjes së Shkollës së Mesme Ushtarake SKËNDERBEJ.

Një Shkollë që tani i përket historisë, pasi funksionoi vetëm 47 vjet. Por mjaftueshëm për ta shkruar emrin me gërma ari në dy nga shtyllat ku mbahet Kombi dhe Shteti:

– Në Historinë e Ushtrisë më moderne që shqiptarët kanë patur në shekuj,

– Në Historinë e Arsimit shqiptar, posaçërisht atij të Mesëm të Përgjithshëm e atij Profesional.

Të gatshëm për të sharë e mohuar gjithçka te ngritur e të ndërtuar në regjimin e kaluar, edhe ndaj asaj Shkolle nuk kanë munguar nëmat e gurët, madje as ironitë e sarkazmat. Por ne nuk do të meremi shumë me to, megjithëse është e pamundur të kalohen krejt në heshtje. Por do të themi diçka për vlerat dhe vendin që Shkolla jonë zë në Historinë e Ushtrisë dhe të Arsimit Shqiptar.

Shkolla SKËNDERBEJ, në kuptimin sa figurativ aq dhe real, i ka themelet te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar dhe Ushtrisë NÇl kundër nazifashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, si pjesë e Frontit Antifashist Botëror dhe Aleancës Antifashiste Anglo- Sovjeto- Amerikane. Them figurativ sepse ajo lindi pikërisht në atë kohë, mes krismave të armëve, kur flamujt e fitores nuk ishin ngritur endé mbi Rajshtag. Them realisht sepse në bankat e asaj Shkolle , në ditën e parë, u ulën partizanë, djeme vajza luftëtarë të moshës 12-15 vjeç, për të cilët drejtuesit e Ushtrisë dhe të pushtetit që po lindte nga Lufta, menduan me të drejtë se lufta e tyre e ardhshme ishte dija. Ishte një shkollë në kushte lufte e paslufte, me kushtet më minimale për jetesë e mësimdhënie, por me shikim nga e ardhmja. Hapja e Shkollës së Pionierëve të Luftës,(Shkolla mori emrin SKËNDERBEJ në vitin 1947), më 28 mars 1945 është një akt shteformues dhe arsimdashës.

Në momentin që kjo Shkollë u mbyll, në gusht të vitit 1992, në bankat e saj kishin kaluar rreth 35 mijë nxënës. Shkolla SKËNDERBEJ ishte burimi kryesor për tre Shkollat e Larta Ushtarake, Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, Shkollën e Aviacionit dhe atë të Marinës, këto të fundit në Vlorë, për të gjitha specialitetet, armët e shërbimet që kishte nevojë Ushtria. Por nga bankat e asaj Shkolle, veç oficerëve të Ushtrisë, kanë dalë figura të shquara në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, kulturore e sportive të vendit tonë. Jo vetëm drejtuesit e lartë të njësive e reparteve ushtarake, por skënderbegas kanë qënë edhe politikanë, mjekë, shkrimtarë, sportistë, gazetarë, diplomatë, artistë, petagogë, juristë.

Si çdo institucion shoqëror, shtetëror, arsimor etj., edhe Shkolla SKËNDERBEJ pati procesin e vet të rritjes e zhvillimit, pasurimit e përsosjes, pati probleme, vështirësi, suksese, dështime, arritje… E pra, edhe ajo nuk mund të mos ishte një pasqyrë e vetë shoqërisë shqiptare. Por duke parë bilancin e arritjeve të asaj Shkolle, e sidomos boshllëkun që ajo ka lënë në këto mëse 30 vjet pas aktit banditesk, përbuzës, antiarsimor, antikulturor, antikombëtar të mbylljes së atij burimi kuadrosh që Shqipërisë do t’i duheshin në fushën e Sigurisë Kombëtare, pa folur për fusha të tjera, them me bindje se ajo Shkollë i tejkaloi objektivat dhe shpresat, shkoi tej detyrimeve e mundësive të një Shkolle të Mesme.

Në çdo stad të ngritjes dhe modernizimit të Ushtrisë Popullore, Shkolla SKËNDERBEJ kishte në gatiashmëri një kontigjent nxënësish për të marë përsipër ngritjen dhe funksionimin e një arme a shërbimi që Komanda e Përgjithshme , Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm planizonin. Këmbësorët e parë, Aviatorët e parë, Detarët e parë, Artilierët e parë, Kundërajrorët dhe Radiolokatorët e parë, Ndërlidhësit apo Xhenjerët e parë, Prapavijasit apo Tankistët e parë, Kimistët, Zbuluesit, Automobilistët… të gjithë kanë qënë skënderbegas. Dhe pas të parëve, brezat vazhduan njëri pas tjetrit, edhe më të përgatitur, edhe më të ditur. Sepse programi mësimor erdhi duke u zhvilluar e përmirësuar, niveli i kërkesave ishte më i lartë, më i vështirë. Nuk mund të krahasohet psh., programi i vitit 1947 me atë të vitit 1974. Në vitin 1947 ishin kaluar programet e analfabetizmit dhe nohuritë ishin ato të nivelit nën të mesëm. Kurse në vitin 1974 ekipi përfaqsues i Shkollës SKËNDERBEJ në konkursin mes shkollave të mesme të Tiranës, padyshim ndër më të mirat në Shqipëri, i mundi të gjitha, doli në finale, dhe vetëm një vendim qesharak dhe absurd i ardhur “nga lart” ja hoqi fitoren, sepse binim në sy për keq po të fitonin ushtarakët(!). Konkursi përfshinte shkencat shoqërore dhe ato egzakte, Letërsi, Histori, Gjeografi, Fizikë, Kimi dhe lëndë të tjera. Sepse Shkolla SKËNDERBEJ vepronte me programet mësimore të Ministrisë së Arsimit, plus përgatitja speciale ushtarake. Prandaj nuk është e rastit që skënderbegasit që shkonin për llogari të Ministrisë së Mbrojtjes në Universitetin e Tiranës, në degë të tilla si Letërsi, Ekonomi, Inxhinjeri, Mjekësi etj., dilnin me rezultate të larta.

Po përmend këtu pak emra për ilustrim, duke u kërkuar falje qindra kolegëve të tyre, po aq të suksesshëm. E dinë lexuesit se një nga ata që thirren si “bisturi e artë”, kirurgu Ismail Feta, ka qënë skënderbegas? Siç ka qënë skënderbegas Dr. Mantho Nakuçi, ikona e dermatologjisë shqiptare. Siç kanë qënë skënderbegas edhe Sabri Godo e Fatmir Haxhiu,Kujtim Çako dhe Anastas Angjeli, Ilir e Zenel Shalari, Pandi Zguro, Arben Duka, Lulëzim Bilbili, Xhafer Qamirani, Hasan Çipuri, Bashkim Myhedini, Thanas Tane, Hysni Milloshi, Roland Qafoku…dhe sa e sa të tjerë. Nuk po përmend kuadrot e lartë ushtarakë, komandues njësish dhe drejtues të lartë ushtarakë, deri Shefa të Shtabit të Përgjithshëm, profesorë dhe petagogë të Akademisë dhe Shkollave të Larta Ushtarake.

Në pesë vëllimet e serialit “Skënderbegasit në vite” të Kujtim Boriçit dhe Maksim Fejzullait, e gjithë kjo trashëgimi është shkruar me gërma të arta. Ja pse tharja e atij burimi i solli dëm interesave kombëtare jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe më gjerë. Tranzicioni i gjatë shqiptar, lufta e paprinciptë politike, loja e politikanëve shqiptarë në interes të pasurimit të tyre dhe pse jo, edhe në interes të shteteve armiqësorë ndaj vendit dhe kombit tonë, kanë sjellë gjendjen kur detyrohemi të përgatisim oficerë në Gjermani, Turqi, ShBA e gjetkë, kur kishim një përvojë gati 50 vjeçare, kishim gjithë strukturën dhe infrastrukturën për këtë përgatitje.

Ja pse ajo Shkollë nuk duhej mbyllyr. Ja pse ajo Shkollë duhet rihapur!

E për të mos bërë paralelizma tendecioze apo ca më keq përbuzëse, si “jeniçerë” apo “kadetë’, le të mjaftohemi me faktin se shkolla të mesme ushtarake ka rreth 30 në ShBA dhe plus minus 5 në Gjermani, Francë e cilin vend pjesëtar të NATOs doni të përmendni.

Pas mëse 30 vjet nga mbyllja e Shkollës SKËNDERBEJ nuk besoj se ka endé ndonjë skënderbegas nën uniformë. Ata, së bashku me kolegët e ardhur në Shkollat e Larta Ushtarake nga shkollat e mesme anëekënd vendit janë organizuar në shoqata sipas armëve e shërbimeve, që, për hir të së vërtetës, të lënë pa mend për numurin e tyre të madh, madje disa të dubluara(!) Madje edhe Shoqatës “Skënderbegas”, e krijuar 30 vjet më parë, tamam para një viti, pak javë para se të festohej 78 vjetori i Shkollës, ju kundërvu një shoqatë me të njëjtin emër(!) Le t’i japim fund kësaj komedie! Dhe le ta fillojmë me përgatitjet për festimin e 80 vjetorit të Shkollës sonë vitin e ardhshëm. Është një kohë e mjaftueshme për të përgatitur një festë dinjitoze për emrin e saj. Le të jetë ajo dhe një FESTË BASHKIMI!

Hapi i parë do të ishte një takim i Kryetarëve të Shoqatave të Ushtarakëve dhe krijimi i një komisioni ku të angazhohen figura vërtet përbashkuese, si Presidenti Alfred Moisiu, Gjeneral Perlat Sula dhe emra të këtij kalibri. E kam shkruar edhe diku tjetër se asgjë nuk na ndan, asgjë nuk do të marim me vete, (jeta bën të vetën dhe radhët tona po rallohen), gjithçka na bashkon e së pari fakti që jemi betuar mbi një Flamur për t’i shërbyer Atdheut. Na bashkon fakti që kemi sakrifikuar rininë, gjithë vitet tona më të bukura larg familjeve, larg prindërve, maleve e fushave të Shqipërisë. Na bashkon fakti që kemi qënë pjesë e Ushtrisë më moderne që shqiptarët kanë patur në gjithë historinë e tyre mijëravjeçare. Dhe në përgjigje të atyre që hedhin gurë e baltë mbi ne dhe Ushtrinë ku ne shërbyem, na bashkon krenaria që për 50 vjet askush nuk guxoi të vinte në rrezik egzistencën e shtetit shqiptar, të lirisë dhe rendit kushtetues. Përtej politizimeve, ne mbajtëm me nder fjalët që shqiptuam në Betimin Ushtarak.

Ja pse duhet të bashkohemi. Ja ç’duhet të bëjmë tani, para festës, para 80 vjetorit.

*Autori është Zv.President i Shoqatës së Ushtarakëve Shqiptarë “SKËNDERBEJ USA”në Nju Jork.