Paralajmërime për një ofensivë të madhe të Rusisë në lindje të Ukrainës

Kiev / Vjenë, 12 prill 2022 – Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, paralajmëroi se Rusia po përgatit një ofensivë të re në lindje të vendit.

“Okupatorët kanë grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë dhe një sasi të madhe pajisjesh në përpjekje për të goditur përsëri”, tha Zelensky, në një adresim për ligjvënësit e Koresë së Jugut, të hënën.

Edhe kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, i cili u takua me presidentin rus Vladimir Putin, të hënën në Moskë, i forcoi paralajmërimet se Kremlini po përgatitet për një ofensivë të madhe në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës.

“Në përgjithësi nuk dola me përshtypje optimiste nga kjo bisedë me Presidentin Putin. Ofensiva (në Ukrainën lindore) me sa duket po përgatitet në një shkallë masive”, tha ai.

Kancelari Nehammer i cilësoi si “shumë të drejtpërdrejta, të hapura dhe të vështira” bisedimet me Putinin.

Kancelari Nehammer është udhëheqësi i parë perëndimor që u takua me Vladimir Putinin që kur Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës, në muajin shkurt.

Austria nuk është anëtare e NATO-s, por ajo ka vendosur sanksione të gjera ndaj Rusisë, së bashku me vendet tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan të hënën në Luksemburg për të diskutuar mbi mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën.

Zyrtarët e BE-së zhvilluan bisedime me prokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan. BE dhe ICC kanë dërguar hetues në Ukrainë për të mbledhur prova lidhur me raportimet për krime lufte.

Ukraina thotë se Rusia ka kryer dy mijë krime lufte në territorin e saj, përfshirë masakrat ndaj civilëve në Buça dhe në qytete të tjera që ishin pushtuar nga forcat ruse, si edhe përdhunimet dhe mizoritë massive ndaj civilëve. Moska i mohon akuzat, pavarësisht prej provave në rritje, përfshirë varrezat masive të gjetura në vendbanimet që ishin të pushtuara nga forcat ruse.

“Ka shumë prova dhe mund edhe të bëhet (ndjekja penale). Por, Zyra e Prokurorit të Gjykatës Penale duhet të veprojë siç nuk ka vepruar kurrë në të kaluarën”, tha eksperti i së drejtës ndërkombëtare Luis Viveros.

“Vladimir Putin duhet të përballet me drejtësinë ndërkombëtare”, tha prof. Viveros.

“Mendoj se mënyra për ta vënë atë para përgjegjësisë do të ishte krijimi i një gjykate speciale për të ndjekur penalisht krimin e agresionit”, shtoi ai.

(r.m.)