Paris, 28 korrik 2024 – Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, do të kthehet në shtëpi me Medaljen e Argjendtë nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
Në duelin final në kategorinë deri në 52 kilogramë ajo pësoi humbje nga bartësja e parë, uzbekja Diyora Keldiyorova. Distria luftoi shumë, por nuk ia doli. Ajo humbi me një ‘wazzari’ të uzbekes.
Në xhiron e parë ishte e lirë. Në xhiron e dytë fitoi lehtë e shpejt, me Ippon, ndaj Maryam Maharanit nga Indonezia. Ndërsa në gjysmëfinale e mundi xhudisten italiane Odette Giuffrida, pas kohës shtesë, “golden score”.
Pas përfundimit të garës, Distria ka thënë se ajo është shumë e lumtur për këtë sukses.
“Jam shumë e lumtur për këtë të arritur. Nuk ka rëndësi ngjyra e medaljes”, ka deklaruar ajo për televizionin publik të Kosovës.
Ajo ka thënë se kishte qenë tepër e fokusuar në duelin me italianen Odette Giuffrida, gjë që mund t’i ketë kushtuar në duelin me Keldiyorova.
“Kam qenë shumë e fokusuar për gjysmëfinale dhe kjo ndoshta më ka kushtuar në finale. Por, prapëseprapë ky është një sukses dhe, natyrisht, jam shumë e lumtur”, është shprehur ajo.
Distria ka shfaqur shpresën se edhe kolegja e saj Nora Gjakova do të arrijë sukses në duelet e saj që do t’I zhvillojë të hënën.
“Shpresoj që nesër edhe Nora të arrijë një sukses të madh”, ka thënë ajo.
Kosova po merr pjesë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.
Të shtunën, boksierja Donjeta Krasniqi e shënoi fitoren e parë në kategorinë deri në 60 kilogramë. Në dujelin e dytë që do të zhvillohet të hënën, më 29 korrik, ajo do të përballet me kolumbianen Angie Valdes.
Deri më tani, Kosova i ka fituar tri medalje olimpike, të tria të arta dhe të tria në sportin e xhudos. Majlinda Kelmendi ia kishte sjellë Kosovës medaljen e parë të artë olimpike, nga “Rio 2016”. Dy medaljet tjera të arta i kishin sjellë në Kosovë xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
(r.m.)