“Parisi 2024”: Distria Krasniqi e siguron medaljen e argjendtë, lufton për të artën

Paris, 28 korrik 2024 – Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, do të kthehet me medalje nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Të shtunën ajo e siguroi medaljen e argjendtë dhe do të vazhdojë garën për ta shndërruar atë në medalje të artë.

Në duelin gjysmëfinal në kategorinë deri në 52 kilogramë, Distria e mundi xhudisten italiane Odette Giuffrida. Dueli mes tyre shkoi në kohën shtesë, “golden score”, por italiania vazhdoi të shmangte përballjen me Distrian, prandaj ajo e mori vërejtjen e tretë, kështu që fituese e duelit u shpall xhudistja kosovare.

Në finale të Lojërave Olimpike Distria do të përballet me xhudisten nga Uzbekistani Diyora Keldiyorova, e cila në gjysmëfinale e eliminoi francezen Amandine Buchard.

Keldiyorova është bartëse e parë, ndërsa Distria bartëse e dytë në kategorinë deri 52 kilogramë. Vitin e kaluar, në finalen e Grand Slamit në Tbilisi, ajo e ka fituar përballjen e vetme me Distrinë. Por, kampi i xhudistëve kosovarë është i bindur se Distria do t’I “hakmerret” dhe do të kthehet në Kosovë me medalje të artë.

Kosova po merr pjesë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.

Të shtunën, boksierja Donjeta Krasniqi e shënoi fitoren e parë në kategorinë deri në 60 kilogramë. Në dujelin e dytë që do të zhvillohet të hënën, më 29 korrik, ajo do të përballet me kolumbianen Angie Valdes.

Deri më tani, Kosova i ka fituar tri medalje olimpike, të tria të arta dhe të tria në sportin e xhudos. Majlinda Kelmendi ia kishte sjellë Kosovës medaljen e parë të artë olimpike, nga “Rio 2016”. Dy medaljet tjera të arta i kishin sjellë në Kosovë xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

(r.m.)