Parlamenti britanik kërkon vëmendje për Kosovën

Londër, 16 mars 2022 – Deputetët e Parlamentit të Britanisë kanë diskutuar të mërkurën për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor në kohën e luftës në Ukrainë. Ata e kanë kritikuar Serbinë e cila nuk ka ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Wayne David e ka cilësuar shqetësuese situatën në Ballkanin Perëndimor pas luftës në Ukrainë, duke tërhequr vëmendjen për rrezikun e eskalimit të tensioneve mes Kosovës e Serbisë.

“Këtë muaj kryeministri kosovar vizitoi Londrën dhe paralajmëroi për influencën e Rusisë mbi Serbinë. Ai theksoi ngjarjet që ndodhën në Kosovë, në kufi me Serbinë, vitin e kaluar. Forcat Speciale të Kosovës shkuan atje në kufi, gjë që u përcoll me avionët e tanket ushtarake serbe. Kjo tregoi qartë për tensionet janë në sipërfaqe dhe se nuk duhet shumë që gjërat të nxehen, prandaj kjo kërkon vëmendjen tonë”, ka thënë David.

Wayne David ka shtuar se Putini “për vite ka inkurajuar nacionalizmin serb duke futur duart në ato të serbëve dhe duke nxitur urrejtje etnike”.

“Para luftës në Ukrainë kishte shqetësim të madh që Bosnja mund edhe një herë cak i gjakderdhjes etnike”, ka thënë ai, duke e përmendur deklaratat e kreut të Republikës Srpska, Milorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja.

Deputeti Chris Law ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin është përpjekur që të ndikojë në Kosovë përmes Serbisë. Ai ka shtuar se Putini po tenton të tregojë se paqja që e vendosi NATO në Kosovë nuk është afatgjatë.

“Është e qartë që Putini e konsideron intervenimin e NATO-s në Kosovë si ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare dhe kërkon që ky shtet të ndjejë që suksesi i NATO-s ishte i përkohshëm, ashtu siç ishte në Irak dhe në Afganistan. Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e ka bllokuar të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Rusia i është bërë aleate Serbisë në këtë çështje dhe akuzohet se po e përdor Serbinë për destabilizimin e rajonit. Serbia e mbështeti integritetin territorial të Ukrainës dhe votoi në favor të rezolutës së OKB-së që i dënon veprimet e Rusisë, por nuk iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Në këtë kontekst, nuk është e çuditshme që Dodiku (lideri i Republikës Serbe në Bosnjë) u mundua ta parandalojë votimin e Bosnjës në OKB për dënimin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai.

Law e ka cituar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka folur për rrezikun e përhapjes së luftës së Ukrainës edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha: ‘Ndjej që sa më e gjatë të jetë lufta në Ukrainë, aq më të mëdha janë gjasat për përhapje në Ballkanin Perëndimor’. Kjo sepse është në interesin e Rusisë. Ne duhet të kemi parasysh këto paralajmërime, sepse çdo konflikt në Ballkan do të ishte shkatërrues dhe historia na e ka treguar vazhdimisht këtë”, ka thënë ai.

Stephen Doughty e ka quajtur të guximshëm vendimin e shteteve ballkanike, përveç Serbisë, për të vendosur sanksione kundër Serbisë. Ai ka thënë se ato, përfshirë Kosovën, iu bashkuan botës, pavarësisht Rusisë, e cila mund të ndikojë në to përmes Serbisë.

Doughty ka thënë se Britania e Madhe do t’i mbështesë vendet ballkanike që janë në krah të Perëndimit.

Kurse, ministri për Evropën i Britanisë së Madhe, James Cleverly, ka thënë se Britania është pro integrimit euro-atlantik të Kosovës. Ai është shprehur falënderues për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe për ofertën për strehimin e refugjatëve ukrainas.

“Është thelbësore që Evropa të paraqesë një front të bashkuar kundër Putinit. I jam mirënjohës #Kosovës për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe për ofertën e saj bujare për të pritur refugjatët ukrainas. Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e përkushtuar për integrimin euro-atlantik të Kosovës”, ka thënë Cleverly.

Ai ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet sa më shpejt, duke shtuar se Britania duhet të ndihmojë për arritjen e marrëveshjes.

“Çfarëdo që ndodh në Ballkan, ndikon në pjesën tjetër të Evropës”, ka theksuar ai.

(r.m.)