Parlamenti Evropian voton për ndalimin e motorëve me djegie të brendshme

Bruksel, 10 qershor 2022 – Në luftë për mbrojtje më të madhe të klimës, Parlamenti Evropian angazhohet për ndalimin e shitjes së automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme, prej vitiy 2035. Parlamentarët evropiane miratuan të enjten me një shumicë të qartë propozimin përkatës për Komisionin Evropian.

Sipas këtij propozimi, duke nisur nga mesi i dekadës së ardhshme, prodhuesit do të lejohen të hedhin në treg vetëm makina dhe furgonë që nuk lirojnë gazra që shkaktojnë efektin serrë që janë të dëmshme për klimën.

Para se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, Parlamentit Evropian i duhet të negociojë me shtetet e BE-së. Ende nuk është ende e sigurt nëse vendet anëtare të BE-së do të bien dakord, por kjo konsiderohet si gjë e mundshme. Deri në fund të muajit, vendet anëtare të BE-së duhet të shprehin qëndrimin e tyre për ndalimin e shitjes së automjeteve me benzinë dhe naftë, e pastaj dy institucioneve të BE-së do t’u duhet të gjejnë një kompromis në mënyrë që rregullorja të hyjë në fuqi.

Gjermania ka deklaruar prej disa kohësh se duke filluar nga viti 2035 do të ndalojë shitjen e automjeteve të reja me motorë me djegie të brendshme. Këtë e bëri të qartë në muajin mars, në Bruksel, edhe ministrja Federale e Mjedisit, Steffi Lemke. Ajo theksoi se Gjermania e mbështet ndalimin e përdorimit të motorëve me djegie të brendshme në Evropë duke filluar nga viti 2035.

Një numër prodhuesish të mëdhenj të automobilave, si Mercedes, Ford dhe Volvo, e kanë mbështetur publikisht ndalimin e shitjes së automjeteve me djegie të brendshme, duke nisur nga viti 2035. Kurse prodhues të tjerë, si Volkswagen, kanë njoftuar se nga ky vit nuk do të ofrojnë më në tregun evropian motorë me djegie të brendshme.

Eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Michael Bloss tha pas votimit, se ne vendosëm pro të ardhmes së Evropës, sepse në të ardhmen makinat elektrike më të mira dhe bateritë më moderne do të prodhohen në Evropë.

Por, eurodeputeti demokristian, Jens Gieseke, e kritikoi vendimin për ndalimin e prodhimit të automjeteve me motorë me djegie të brendshme.

“Për fat të keq, të Gjelbrit, Liberalët dhe Social-Demokratët preferojnë t’i vendosin të gjitha në kartën e elektro-mobilitetit”, tha ai.

Gieseke tha se ka frikë për aftësinë konkurruese të Evropës dhe për sigurinë e shumë vendeve të punës, por pranoi se ndalimi i motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035 duket se nuk do të mund të pengohet më.

(DW.de)