Parlamenti i Malit të Zi shkarkon dy ministra pro-perëndimorë

Podgoricë, 22 tetor 2022 – Parlamenti i Malit të Zi ka votuar për shkarkimin e dy ministrave pro-perëndimorë të Qeverisë në detyrë të Dritan Abazoviqit.

Dyzet e një deputetë pro-serbë, në Parlamentin prej 81 ulësesh, votuan në orët e vona të 21 tetorit për shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ranko Krivokapiq, dhe ministrit të Mbrojtjes, Rashko Konjeviq.

Abazoviq akuzoi dy anëtarët e partisë pro-perëndimore, Partisë Socialdemokrate, se kanë punuar kundër interesave të Qeverisë.

Kampet pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi po tentojnë të shkarkojnë nga detyra presidentin pro-perëndimor, Millo Gjukanoviq, dhe ta dërgojë para gjykatës për pretendimet për korrupsion.

Gjukanoviq ka udhëhequr Malin e Zi në pavarësimin nga Serbia më 2006 dhe ka anëtarësuar vendin në NATO më 2017.

Qeveria e Abazoviqit është në detyrë, pasi Parlamenti votoi një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit në gusht të këtij viti.

Abazoviq, që udhëheq Lëvizjen URA, fillimisht kishte pasur qëndrim pro-perëndimor, por nisi të ndiqte një politikë më pro-serbe kur erdhi në pushtet përmes ndryshimit të koalicionit qeverisës në prill.

Në gusht, Abazoviq nënshkroi një marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe që nuk njeh identitetin e Malit të Zi si shtet i veçantë. Ai argumentoi se marrëveshja me Kishën do të ndihmonte në tejkalimin e ndarjeve të thella të brendshme.

Nënshkrimi i marrëveshjes u kritikua nga forcat politike pro-evropiane në Mal të Zi.

Zgjedhjet e reja ende nuk janë thirrur sepse nuk ka shumicë në Parlament.

Ndërkaq, zgjedhjet lokale do të mbahen në 14 komuna më 23 tetor, përfshirë edhe në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë.

Një konsensus për zgjedhjet e reja, që potencialisht do të mund të mbaheshin në janar, pritet të arrihet pas zgjedhjeve lokale.

Një raport i Komisionit Evropian, që u publikua më herët gjatë këtij muaji, tha se ligjvënësit në Mal të Zi kanë dështuar të tregojnë përkushtim për përmbushjen e reformave që do ta sillnin shtetin më afër Bashkimit Evropian, pavarësisht se Mali i Zi ka statusin e shtetit kandidat.

(REL)