Madrid, 27 qershor 2024 – Parlamenti i Spanjës e ka hedhur poshtë të enjten iniciativën e disa partive katalonase që Spanja ta njohë shtetin e Kosovës.
Pro iniciativës kanë votuar vetëm 25 deputetë, kundër kanë votuar 293, ndërsa kanë abstenuar 27 vetë.
Propozimin që kjo iniciativë të futet në rendin e ditës së seancës së Parlamentit e ka bërë partia katalonase “Juntas”. Deputeti i saj, Eduard Pujol Bonell, duke e shpjeguar propozimin, ka kujtuar se vendimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është shpallur i ligjshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Ai ka thënë se sot Kosova është “shtet i së drejtës” dhe shtet demokratik.
Miratimi i nismës është kundërshtuar ashpër nga partitë konservatore VoX, Partia Popullore (PP) dhe Partia Socialiste e Galicisë, të cilat janë partitë kryesore në Spanjë.
Ditë më parë, në një deklaratë për Telegrafin, Miriam Nogueras, zëdhënëse e partisë katalunase, kishte thënë se prisnin mbështetjejn e të gjitha partive politike katalonase, baske dhe gale.
“Nuk mund të them të njëjtën gjë nga partitë politike spanjolle. Ne do të negociojmë deri në minutën e fundit”, ishte shprehur ajo.
Gjatë debatit, i cili ka filluar të martën, kundërshtarët e nismës e kanë akuzuar partinë “Juntas” se përmes kësaj nisme synon të ringjallë idenë për pavarësinë e Katalonisë nga Spanja.
Aspiratat për pavarësinë e Katalonisë nuk janë shuar kurrë, pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër i Madridit.
Spanja është në mesin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.
(r.m.)