Beograd, 4 prill 2022 – Vëzhguesit e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale në Serbi kanë raportuar për parregullsi të shumta në disa qendra të votimit.
Misioni vëzhgues i organizatës joqeveritare CRTA i ka dorëzuar në polici shtatë kallëzime penale për parregullsi. Përfaqësuesi i kësaj organizate tha se në parregullsitë e raportuara përfshihen blerje të votave në qendrat e votimit, mbajtje paralele të listave të votuesve, cenim i konfidencialitetit të votimit dhe prani e personave të paautorizuar në vendvotime.
Lideri i njërës prej partive opozitare “Lëvizja Qytetarët e Lirë” (PSG), Pavle Gërboviq, ka raportuar për një sulm fizik ndaj tij në afërsi të një qendre të votimit. Ai ka thënë se është sulmuar fizikisht nga anëtarë të partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe.
Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve ka thënë se në disa qendra të votimit janë regjistruar përplasje mes aktivistëve të partive të ndryshme.
(REL)